Mesfushori kosovar Drilon Islami, ish-lojtar i Prishtinës, nuk pritet të rikthehet këtë verë në futbollin e Kosovës apo të Shqipërisë.
Burime të sigurta për “Kërlaçki” konfirmojnë se ai do të vazhdojë karrierën te skuadra rumune CFR Cluj, ku luan aktualisht.
Islami ka marrë oferta konkrete nga ish-kampionia e Kosovës, Ballkani, si dhe nga Partizani i Tiranës, por ai dhe përfaqësuesi i tij i kanë refuzuar të dyja.
Edhe klubet kanë bërë përpjekje zyrtare, duke kontaktuar drejtpërdrejt CFR Cluj, por pa sukses.
Sipas të njëjtave burime, mesfushori nuk planifikon të largohet nga ekipi rumun në këtë periudhë.
Megjithatë, nëse para afatit kalimtar të dimrit do të mbërrijë një ofertë nga ndonjë klub evropian, ajo do të shqyrtohet nga lojtari dhe drejtuesit e tij.