Debatik Curri zyrtarizohet te Gjilani: Do ta rikthejmë ekipin aty ku e ka vendin

Debatik Curri
Debatik Curri

Debatik Curri është zyrtarizuar si trajneri i ri i Gjilanit. Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë dhe një emër i njohur i futbollit kosovar dhe ndërkombëtar, ka marrë drejtimin e skuadrës gjilanase në një periudhë jo të lehtë për klubin, i cili po kalon një sezon zhgënjyes në AlbiMall Superligë.

Në prezantimin zyrtar, Curri u shpreh i motivuar dhe mirënjohës për besimin:
“Falënderoj kryesinë e Gjilanit për besimin e dhënë që të udhëheq një skuadër si Gjilani, një emër i madh me një tifozeri nga më të mirat në vend. Jam shumë i lumtur që më është besuar kjo detyrë. Kam ardhur me shumë ambicie personale dhe vetëbesim se do ta rikthejmë Gjilanin aty ku e ka vendin”, deklaroi ai.

Trajneri i ri beson se gjendja aktuale nuk reflekton realisht cilësinë e skuadrës:
“Të gjithë e dimë se rezultatet momentale nuk janë reale. Me kontingjentin e lojtarëve që ka kjo skuadër, jam i bindur se do të kthehemi te paraqitjet e mira dhe më pas te rezultatet. Shpresoj shumë që besimin e dhënë do ta shpaguaj me punë, disiplinë dhe përkushtim çdo ditë e çdo ndeshje.”

Sipas informacioneve të siguruara nga portali Kërlaçki, Curri mund të përfitojë deri në 5.000 euro në muaj, pa përfshirë bonuset e mundshme.

Nga fushat te pankina: Rrugëtimi i Debatik Currit

Pas një karriere të gjatë, Curri u pensionua në mënyrë dramatike në fund të sezonit 2017/18, pas një ndeshjeje të tensionuar në Pejë, ku Prishtina përballej me Dritën në betejë për titull. Ai u ndëshkua me karton të kuq në pjesën e parë nga gjyqtari Fatmir Tahiri, dhe ajo rezultoi të ishte prekja e fundit e topit në karrierën e tij si futbollist.

Menjëherë pas pensionimit, Curri nisi karrierën si ndihmëstrajner te Prishtina, duke bashkëpunuar me trajnerë të ndryshëm si Mirel Josa, Bylbyl Sokoli, Armend Dallku, Zekerija Ramadani, Abdulah Ibrakoviç dhe Ismet Munishi. Në vitin 2023, si trajner i parë, e udhëhoqi Prishtinën drejt triumfit në Kupën e Kosovës, përpara se të shkarkohej më 25 tetor të po atij viti dhe të zëvendësohej nga trajneri nigerian Ndubuisi Egbo.

Më pas, Curri punoi si ndihmës te Ballkani, nën drejtimin e Shpëtim Duros dhe më pas të Qendrim Kidës. Pasi Suhareka hyri në krizë organizative, ai mbeti pa klub dhe vetëm së fundmi u emërua ndihmëstrajner në ekipin U17 të Kosovës, të drejtuar nga Arbnor Morina.

Debatik Curri do të jetë trajneri i ri i Gjilanit