
Më 21 shtator 1991, u themelua “Dream Team” – skuadra më e fuqishme jo vetëm në historinë e basketbollit, por ndoshta edhe të gjithë sportit botëror.
Kjo përfaqësuese amerikane u krijua me një objektiv të qartë: të fitonte medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Barcelonës më 1992 – një mision që e përmbushi me dominim absolut. Ajo i fitoi të gjitha ndeshjet në turne, ndërsa vetëm Kroacia e udhëhequr nga Drazhen Petroviç i dha një sfidë më serioze. Edhe pse kroatët kaluan në avantazh 25:23 në fillim të ndeshjes, SHBA triumfoi në fund me 32 pikë diferencë.
FIBA hapi derën për legjendat
Krijimi i kësaj skuadre u bë i mundur pas vendimit të FIBA-s për të lejuar lojtarët profesionistë të NBA-së të marrin pjesë në Lojërat Olimpike. Më 21 shtator 1991, u publikua lista e parë me dhjetë emra: Charles Barkley, Larry Bird, Patrick Ewing, Magic Johnson, Michael Jordan, Karl Malone, Chris Mullin, Scottie Pippen, David Robinson dhe John Stockton.
Trajner i skuadrës u emërua Chuck Daly, fitues i dy titujve NBA me Detroit Pistons (1989, 1990). Lista u përmbyll në maj, me përfshirjen e Clyde Drexler dhe kolegjasit Christian Laettner – i vetmi lojtar pa përvojë në NBA që fitoi vendin përpara një Shaquille O’Neal-i të ri e premtues.
Sfida më e madhe: AIDS-i i Magic Johnson
Megjithatë, jo gjithçka shkoi siç ishte planifikuar. Më 7 nëntor 1991, më pak se dy muaj pas shpalljes së skuadrës, Magic Johnson bëri publike se ishte diagnostikuar me HIV dhe vendosi të tërhiqej nga basketbolli në kulmin e karrierës, në moshën 32-vjeçare. Ky lajm tronditi ekipin, dhe disa lojtarë madje menduan të tërhiqeshin nga Olimpiada. Por Magic i përballoi paragjykimet dhe sfidat – dhe në Barcelonë u rikthye në fushë si pjesë e një skuadre që do të hynte në histori.
Fillimi i dominimit total
Ndeshjen e parë zyrtare, “Dream Team” e zhvilloi më 28 qershor 1992 kundër Kubës në Kampionatin e Amerikës, duke fituar me rezultatin shkatërrues 136:57.
“Që ditën e parë thashë se mund të humbnim vetëm nëse mundnim veten”, deklaroi më vonë Michael Jordan. Interesant është fakti që ai nuk ishte shënuesi më i mirë i ekipit – Charles Barkley kishte një mesatare prej 18 pikësh për ndeshje, ndërsa Jordan shënonte 14.9. Përveç tyre, edhe tre lojtarë të tjerë kishin mesatare me shifra dyshifrore: Karl Malone (13), Chris Mullin (12.9) dhe Clyde Drexler (10.5).
Skuadra e “ëndrrave” e fitoi medaljen e artë, duke mposhtur kundërshtarët me një diferencë mesatare prej 44 pikësh për ndeshje – një dominim i paprecedentë që e përjetësoi këtë formacion si më të madhin e të gjitha kohërave.