
Gjermania ka eliminuar Slloveninë nga Eurobasketi duke fituar 99:91 dhe ka siguruar gjysmëfinalen, ku të premten do të përballet me Finlandën.
Sllovenia e nisi shkëlqyeshëm ndeshjen, duke krijuar epërsi prej 11 pikësh në fund të çerekut të parë (21:32), por gjermanët u rikthyen gradualisht dhe me një seri 12:0 në fillim të periodës së fundit morën avantazhin dhe e mbyllën ndeshjen në favorin e tyre.
Donçiç i pakënaqur me veten, por krenar për ekipin
Lideri i Sllovenisë, Luka Donçiç, ishte më i miri në parket me 39 pikë, 10 kërcime dhe 7 asistime, por kjo nuk mjaftoi për një surprizë.
“Besonim se mund të fitonim, dhe e treguam. Çfarë u thashë djemve? Bravo të gjithëve, nga i pari te i fundit. Të gjithë luftuam. Mund të kisha luajtur më mirë në momentet vendimtare. Kur u vendoste ndeshja, nuk mora vendimet më të mir”, deklaroi Donçiç pas ndeshjes.
Kritikë e fortë ndaj gjyqtarëve
Megjithatë, ylli i NBA-së nuk e fshehu pakënaqësinë me drejtësinë e arbitrimit:
“Nuk dua të them shumë. Marr teknike që pas dy minutash, vetëm pse bërtita ‘Alo’. Kjo nuk duhet të ndodhë në një çerekfinale, pavarësisht se kush është lojtari. Të mos marrësh as paralajmërim… Nuk e di çfarë menduan gjyqtarët”, tha ai.
Në fund, Donçiç shtoi se ndjehet i zhgënjyer nga eliminimi, por njëkohësisht krenar për përfaqësuesen sllovene:
“Luftuam nga fillimi deri në fund. Objektivat ishin më të larta dhe për ne u fol me shumë mosrespekt. Por ia dolëm të kthehemi pas dy humbjesh. Për disa ditë do të jem krenar për atë që arritëm.”
https://kerlacki.com/gjermania-eliminon-sllovenine-dhe-siguron-gjysmefinalen-e-eurobasketit/