
Boksierja e Kosovës, Donjeta Sadiku, ka pësuar disfatë në Kampionatin Botëror të Boksit që po mbahet në Liverpool të Anglisë (04–14 shtator 2025).
Në kategorinë deri në 60 kilogramë, Sadiku u përball me nënkampionen e botës, Viktoriya Grafeyeva nga Kazakistani.
Pas një dueli të fortë dhe të balancuar, gjyqtarët vendosën në favor të boksieres kazake me rezultat të ngushtë 3:2.
Edhe pse në dy raundet e fundit Sadiku – sipas Federatës së Boksit të Kosovës – ishte më aktive dhe sulmoi vazhdimisht, duke goditur kundërshtaren, vendimi i gjyqtarëve nuk ishte në anën e saj.
Federata e Boksit të Kosovës ka shprehur pakënaqësi me vlerësimin e këtij meçi, duke e cilësuar rezultatin të padrejtë.