
Java e tretë e Raiffeisen Superligës A për meshkuj ka sjellë përballje të forta dhe rezultate vendimtare për pozicionimet në krye të tabelës, ku Drita dhe Skënderbeu vazhdojnë të mbeten të vetmet skuadra pa humbje.
Drita e pandalshme, Ferizaj pëson humbjen e parë
Skuadra e Dritës nga Gjilani ka konfirmuar formën e shkëlqyer me fitoren e tretë radhazi, duke mposhtur Ferizajn me rezultat 3:0 (25:21, 25:22, 27:25) në një përballje të luftuar deri në fund të secilit set. Edhe pse ndeshja u zhvillua në pallatin e sporteve në Gremë, për shkak të rikonstruksionit të palestrës në Gjilan, gjilanasit ruajtën qetësinë dhe efikasitetin në momentet kyçe, duke i shkaktuar Ferizajt humbjen e parë të sezonit.
Peja fiton në Ferizaj, Luboteni mbetet pa pikë të plota
Në një përballje me ritëm të lartë në SHFMU “Astrit Bytyqi” të Ferizajt, skuadra e Pejës arriti fitoren e dytë sezonale, duke mposhtur Lubotenin me rezultat 3:1 (21:25, 25:23, 20:25, 17:25). Pas një fillimi të balancuar, pejanët morën kontrollin e lojës dhe e mbyllën sfidën me sukses. Luboteni mbetet në kërkim të fitores së parë në kampionat, duke u renditur në fundin e tabelës pas tre xhirove.
Skënderbeu i Lipjanit nuk ndalet, triumfon ndaj Therandës
Skënderbeu vazhdon të befasojë pozitivisht në këtë edicion, duke marrë fitoren e tretë radhazi, këtë herë në udhëtim ndaj Golden Eagle Therandës, me rezultat 3:1 (22:25, 25:22, 12:25, 16:25). Lipjanasit konfirmojnë pozicionin e tyre në krye të tabelës, përkrah Dritës. Theranda, nga ana tjetër, regjistroi humbjen e dytë, por vazhdon të mbajë vendin e pestë në renditje.
📍 Ndeshja u zhvillua në Palestrën e Re në Lipjan, për shkak të angazhimit të palestrës në Suharekë për zgjedhjet lokale.