
Klubi kampion i Kosovës, Drita, do të shkruajë një kapitull të ri në historinë e saj dhe të futbollit kosovar, duke zbritur për herë të parë në fushë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Skuadra nga Gjilani përballet sonte me gjigantin danez, FC Copenhagen, në një sfidë tejet të vështirë që zhvillohet në stadiumin “Parken” të Kopenhagës, me fillim nga ora 19:00. Ekipi danez shihet si favorit i qartë, por Drita është e vendosur të japë gjithçka në këtë përballje historike.
Trajneri Zekirija Ramadani pritet të bëjë disa lëvizje taktike për të menaxhuar intensitetin e ndeshjes, duke u përqendruar te balanca ndërmjet mbrojtjes solide dhe kundërsulmeve të shpejta.
Formacioni i mundshëm pritet të mos ndryshojë shumë në prapavijë. Faton Maloku do të jetë në portë, ndërsa katërshja e mbrojtjes do të përbëhet nga Besnik Krasniqi në të djathtë, Juan Camilo Mesa dhe Egzon Bejtullai në qendër, si dhe Raddy Ovouka në të majtë.
Në mesfushë, Rron Broja do të mbulojë rolin e mesfushorit defensiv, pranë tij do të jetë Albert Dabiqaj, ndërsa Vesel Limaj do të ketë detyra më kreative në ndërtimin e lojës.
Reparti ofensiv pritet të përbëhet nga Liridon Balaj dhe Almir Ajzeraj në krahë, me Arb Manajn në majën e sulmit – sulmuesin që kërkon të shënojë sërish dhe të çojë Dritën drejt një suksesi historik.