Duplantis
Atletika botërore është sërish në këmbë – Armand “Mondo” Duplantis ka shkruar histori në kampionatin botëror të atletikës në Tokio, duke vendosur një rekord të ri botëror në kërcim me shkop, me lartësinë 6.30 metra.
Superylli suedez arriti këtë rezultat të jashtëzakonshëm në tentimin e tretë, pas dy përpjekjeve shumë pranë suksesit. Me këtë arritje, Duplantis e theu rekordin e tij të mëparshëm (6.29 m), të vendosur vetëm një muaj më parë në Budapest, duke dëshmuar se ai është në një tjetër nivel krahasuar me rivalët.
Përveç lavdisë dhe entuziazmit të publikut në Stadiumin Olimpik të Tokios, Duplantis fitoi edhe një shpërblim prej 100.000 dollarësh, që jepet për çdo rekord të ri botëror në këtë disiplinë.
Atleti suedez e kishte siguruar medaljen e artë më herët gjatë finales me një kërcim të pastër në 6.15 metra, por sytë e publikut dhe kamerave ishin të drejtuar nga rekordi – dhe ai nuk zhgënjeu.
Kjo është hera e katërt radhazi që Duplantis shpallet kampion bote, duke forcuar edhe më tej pozicionin e tij si atleti më dominues në historinë e kërcimit me shkop.
Në vendin e dytë u rendit greku Emanuel Karalis, i cili me një kërcim të shkëlqyer prej 6.00 metrash siguroi medaljen e argjendtë. Podiumi u plotësua nga australiani Kurtis Marshall, që arriti të kalojë 5.95 metra, duke fituar medaljen e bronztë.
Duplantis tashmë ka thyer rekordin botëror 14 herë në karrierën e tij, një statistikë që flet vetë për madhështinë e këtij sportisti, që po e çon kufirin njerëzor përtej imagjinatës. Me vetëm 25 vjeç, ai vazhdon të sfidojë jo vetëm rivalët, por edhe vetveten.
Në Tokion nuk u vendos vetëm një rekord – u konfirmua edhe njëherë se Mondo Duplantis është një nga emrat më të mëdhenj të sportit global në këtë shekull.