Edhe Albian Hajdari largohet nga Zvicra për Kosovën

albian hajdari
Albian Hajdari

Pas Leon Avdullahut, një tjetër talent i futbollit zviceran vendos të ndërrojë përfaqësim. Albian Hajdari, pavarësisht grumbullimeve të shumta me ekipet kombëtare të Zvicrës, ka zgjedhur të luajë për Kosovën.

Nga Zvicra në Kosovë

Mbrojtësi 22-vjeçar, që debutoi për Zvicrën në mars, nuk do të shihet më me fanellën helvete. Hajdari, i cili luan aktualisht për Hoffenheimin në Bundesligë, ka zhvilluar tashmë tri ndeshje me klubin gjerman, përfshirë edhe 90 minuta përballë Bayern Munich.

Pavarësisht rrugëtimit të gjatë në të gjitha grupmoshat e kombëtares zvicerane që nga U15, dhe një vlerë në treg prej 12 milionë frangash sipas Transfermarkt.ch, Hajdari ka vendosur t’i bashkohet kombëtares së origjinës, Kosovës, shkruan Blick, përcjellë Kërlaçki.

Zgjedhja që dhemb për Zvicrën

Rasti i Hajdarit konsiderohet edhe më i dhimbshëm për Federatën Zvicerane të Futbollit (SFV), pasi ai ka qenë pjesë e planeve të trajnerit Murat Yakin. Ai u grumbullua fillimisht në maj 2024 për fazën përgatitore të Euro 2024, por nuk u bashkua pas finales së Kupës. Më pas, ishte në stol për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Serbisë dhe Spanjës, dhe debutoi në miqësoret kundër Irlandës së Veriut dhe Luksemburgut. Pikërisht në këtë të fundit ai zhvilloi debutimin e tij, por për shkak se ishte ndeshje miqësore, kalimi në përfaqësimin kosovar mbeti i hapur.

Goditja e radhës nga Agim Ademi

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, pati deklaruar në shtator: “Do të na bënte krenar nëse do të na zgjidhte.” Dhe këtë herë, suksesi është i plotë. Hajdari pritet të jetë titullar në sfidën kundër Sllovenisë në Prishtinë, si dhe në ndeshjen ndaj Suedisë, pasi kapiteni Amir Rrahmani është i dëmtuar. Në krahasim me konkurrencën në Zvicër – ku mbrojtës si Manuel Akanji, Nico Elvedi, Aurèle Amenda apo Stefan Gartenmann janë në qendër të vëmendjes – në Kosovë, Hajdari ka më shumë hapësirë për të shkëlqyer.

Reagimi nga Zvicra

Federata Zvicerane duket se nuk është befasuar nga ky vendim. Drejtori i ekipit kombëtar, Pierluigi Tami, pati deklaruar në shtator: “Nuk jam i shqetësuar. Murat Yakin ka bërë shumë, dhe menjëherë pas këtij grumbullimi do të planifikojmë të ardhmen me të.” Por me largimin e tretë brenda një kohe të shkurtër, shtrohet pyetja nëse kjo do të nxisë një qasje të re për menaxhimin e talenteve me nënshtetësi të dyfishtë.