Elon Berisha

FC Malisheva ka zyrtarizuar sot Elon Berishën si kryetrajnerin e ri të skuadrës, duke nisur kështu një kapitull të ri në stolin e ekipit. Prezantimi u bë nga drejtori sportiv Sami Boroci, me të cilin Berisha ka bashkëpunuar më herët te Prishtina e Re.

Në njoftimin zyrtar të klubit thuhet:
Elon Berisha është kryetrajneri i ri i FC Malisheva. Kemi kënaqësinë të njoftojmë marrëveshjen me trajnerin, i cili do ta udhëheqë Shtabin Teknik të klubit tonë. Me Elonin kemi dakorduar rrugën tonë përpara drejt objektivave të përbashkëta, dhe jemi të bindur se bashkë do t’i arrijmë.”

Berisha njihet për suksesin e tij me Prishtinën e Re, të cilën e udhëhoqi nga Liga e Dytë deri në Superligë, duke e drejtuar edhe në pesë xhirot e para të elitës.

Klubi ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të prezantojë edhe anëtarët e tjerë të shtabit teknik.

Sfida e parë për trajnerin e ri vjen të dielën, kur Malisheva do të përballet me Gjilanin në kuadër të javës së 13-të të Albi Mall Superligës.