“Është martuar, mund të jetë i mërzitur” – trajneri i Rubinit e nxjerr zbuluar Dakun

Sulmuesi shqiptar, Mirlind Daku, ka qenë përsëri vendimtar për Rubin Kazanin, duke shënuar golin e barazimit 2-2 ndaj Akron Togliattit në ndeshjen e javës së nëntë të Premierligës ruse.

Akroni kishte mbyllur pjesën e parë me epërsi 2-0, por në pjesën e dytë Rubin reagoi fuqishëm dhe falë golit të Dakut arriti të marrë një pikë të vlefshme.

Pas ndeshjes, trajneri Rashid Rakhimov pranoi se nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e sulmuesit shqiptar në 45 minutat e para.

“Nuk kisha dëshirë ta zëvendësoja, por padyshim pati kritika të ashpra ndaj tij. Kishim pritshmëri më të mëdha prej tij. Pastaj ai reagoi dhe e shfrytëzoi rastin. Daku duhet ta kuptojë që është një nga liderët e ekipit dhe duhet të jetë i qëndrueshëm”, tha Rakhimov për matchtv.ru.

Tekniku u pyet edhe për gjendjen emocionale të Dakut, pas vdekjes së gjyshit të tij javën e kaluar.

“Çdo gjë është në rregull. Madje diçka pozitive ka ndodhur për të. Ai është martuar, ka nënshkruar kontratë martese, dhe ndoshta kjo e ka bërë paksa të shpërqendruar”, shtoi trajneri me humor.

Daku është në lidhje me bukuroshen Vesa Vllasaliu, e njihur për pjesëmarrjen e saj në Big Brother.

Me këtë gol, Daku ka arritur në tetë realizime në nëntë paraqitje kampionale, duke konfirmuar statusin e tij si një nga lojtarët më të rëndësishëm të Rubinit këtë sezon.