
Shorti i hedhur sot në Nyon të Zvicrës ka përcaktuar kundërshtarin e FC 2 Korrikut në edicionin 2025/26 të UEFA Youth League.
Skuadra U19 e verdhebluve e nis garën nga raundi i dytë, ku do të përballet me Hibernian F.C. nga Skocia.
-
Ndeshja e parë do të zhvillohet më 22 tetor 2025 në Edinburgh,
-
ndërsa ndeshja e kthimit më 5 nëntor 2025 në Prishtinë.
Në rast kualifikimi, FC 2 Korriku do të ndeshet në raundin e tretë me fituesin e çiftit Dynamo Kyiv (Ukrainë) – IF Brommapojkarna (Suedi). Këto ndeshje do të zhvillohen më 26 nëntor dhe 10 dhjetor 2025.
Ky është tjetër hap i rëndësishëm për klubin kosovar, që do të ketë mundësinë të matet me skuadra të njohura evropiane në nivelin e futbollit të të rinjve. Skuadra nga Prishtina në edicionin e kaluar ishte eliminuar në raundin e tretë po nga Dinamo Kievit – skuadër kjo që mund të takohet sërish po në raundin e tretë.