
Në moshën vetëm 10-vjeçare, britanikja me prejardhje indiane, Bodhana Sivanandan, ka hyrë në histori si lojtarja më e re që ka mposhtur ndonjëherë një Grandmaster në një ndeshje zyrtare.
E krahasuar me Beth Harmon, personazhin e njohur të serialit “The Queen’s Gambit”, Bodhana është në rrugën për ta kthyer fantazinë në realitet. Ajo mposhti në mënyrë të jashtëzakonshme Grandmaster-in 60-vjeçar Peter Wells, në raundin përmbyllës të Kampionatit të 111-të Britanik për Veteranë të mbajtur në Liverpool.
Në moshën 10 vjeç, 5 muaj e 3 ditë, Sivanandan theu rekordin e vendosur nga amerikania Carissa Yip në vitin 2019 (10 vjeç, 11 muaj e 20 ditë), duke dëshmuar edhe një herë talentin e saj të rrallë. Fitorja e saj shënoi edhe një arritje tjetër historike: ajo u bë lojtarja më e re që përmbush normën e tretë dhe vendimtare për titullin e Mjeshtre Ndërkombëtare të FIDE-s për femra (Woman International Master), duke tejkaluar për një vit rekordin e mëparshëm të kazakistanases Zhansaya Abdumalik, vendosur në vitin 2011.
Në vitin 2024, Sivanandan u bë gjithashtu sportistja më e re që përfaqësoi Mbretërinë e Bashkuar në një garë kombëtare ndërkombëtare – në Olimpiadën e Shahut në Budapest, Hungari.
Pandemia e COVID-19 izoloi botën për muaj me radhë, por për disa, kjo kohë solli mundësi të reja. Shahu ishte një prej tyre. Miliona njerëz në mbarë botën iu kthyen këtij sporti online, sidomos pas transmetimit të “The Queen’s Gambit”, që e riktheu popullaritetin e lojës në nivele të ngjashme me ndeshjet legjendare si Fischer–Spassky (1972) apo Kasparov–Deep Blue (1997).
Në këtë atmosferë, në lagjen Harrow të Londrës – e njohur si vendlindja e Elton John – një vajzë 5-vjeçare me origjinë indiane, Bodhana Sivanandan, nisi të mësonte shahun në tetor 2020, pikërisht kur u publikua seriali. Një mik i babait të saj, i cili u kthye përfundimisht në Indi për shkak të pandemisë, la pas disa lodra dhe libra. Në një nga çantat, Bodhana gjeti një tabelë shahu dhe disa gurë. “Babai më tha që ishte lojë, jo lodra, dhe nga ai moment fillova të luaj shah”, rrëfeu ajo në një intervistë për BBC në vitin 2024.
Dy vite më parë, ajo shprehej me një pjekuri që tejkalon moshën e saj: “Shahu më ndihmon të njoh modele, të përqendrohem dhe të llogaris hapat përpara. Më pëlqen mënyra se si lëvizin gurët, sidomos kali…”
Me karakter modest, por me ambicie të mëdha sportive, Sivanandan e ka të qartë qëllimin: “Dua të fitoj titullin botëror dhe të jem një nga lojtarët më të mirë në histori”. Dhe duket se ka nisur me hapa të sigurt drejt qëllimit për t’u bërë një “Judit Polgar” e re.
Përveç titullit në Botërorin U-8 dhe çmimit “Lojtarja më e mirë femër” në Kampionatin Evropian të Blitz-it 2023, ku përfundoi në vendin e 73-të nga 555 pjesëmarrës, Sivanandan shënoi edhe një paraqitje mbresëlënëse në Kampionatin Britanik, duke përfunduar e 26-ta me 5 pikë nga 9 të mundshme.
Në vijim, karriera e saj premton edhe më shumë mbështetje, pas vendimit të ministres së financave të Mbretërisë së Bashkuar, Rachel Reeves, për të ndarë 1.75 miliardë euro në tri vitet e ardhshme për talentet e reja, duke nisur nga prilli i vitit 2026.