
FIFA po shqyrton një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si ekzekutohen penalltitë.
Sipas planit të ri, nëse një futbollist dështon të shënojë, topi automatikisht do t’i kalojë portierit për të nisur aksionin e ri, pa marrë parasysh drejtimin e goditjes.
Kjo do të përjashtonte mundësinë e vazhdimit të aksionit pas tentimit fillestar.
Lojtari ekzekutues do të ketë vetëm një shans, ndërsa futbollistët e tjerë nuk do të kenë më nevojë të pozicionohen pranë zonës së 16-metërshit. Po ashtu, nuk do të ndëshkohen më me kartonë të verdhë ata që hyjnë para kohe në zonë.
Ende nuk është sqaruar se çfarë do të ndodhë në rast se topi përfundon në shtyllë pa u prekur nga portieri.
Ish-gjyqtari spanjoll Eduardo Iturralde ka konfirmuar për “Cadena SER” se Pierluigi Collina, shefi i gjyqtarëve të FIFA-s, është një prej mbështetësve më të mëdhenj të këtij revolucioni.
Ky rregull i ri mund të hyjë në fuqi që nga sezoni 2026/27, duke bërë që Botërori 2026 në Kanada, Meksikë dhe SHBA të jetë turneu i fundit madhor me formatin e vjetër të penalltive.