Florent Muslija shënon golin e dytë për skuadren e re 

Florent Muslija
Florent Muslija

Florent Muslija (27) ka gjetur rrjetën në javën e dytë të Bundesliga 2, duke treguar se është gati të bëhet një nga pikat kryesore të Fortuna Düsseldorf këtë sezon. Në përballjen ndaj Paderborn, mesfushori kosovar realizoi në minutën e 42-të, pas një asistimi të saktë nga Appelkamp, duke i dhënë skuadrës së tij avantazhin e dytë dhe duke ndezur atmosferën në stadium.

Muslija iu bashkua Düsseldorf këtë verë në formë huazimi nga SC Freiburg, ku luajti 17 ndeshje në sezonin e kaluar në Bundesliga, por pa arritur të shënojë. Megjithatë, ai nuk është i panjohur për futbollin gjerman: gjatë karrierës së tij ka kaluar nëpër disa skuadra të njohura, duke filluar nga Karlsruher SC ku grumbulloi 43 paraqitje dhe 2 gola, më pas te Hannover 96 me 76 ndeshje dhe 9 gola, e duke kulmuar te SC Paderborn ku shënoi 23 herë në 65 ndeshje. Në total, deri tani në futbollin gjerman ka zhvilluar mbi 200 ndeshje dhe ka realizuar 34 gola, duke dëshmuar vazhdimësi dhe përmirësim të dukshëm sidomos në fazën sulmuese.

Edhe pse është ende në fillim të aventurës së tij me Düsseldorfin, Muslija ka lënë menjëherë gjurmë: nga tre ndeshjet e para të këtij sezoni ka realizuar tashmë një gol në kampionat, ndërsa ka gjetur rrjetën edhe në Kupën e Gjermanisë.

Në arenën ndërkombëtare, mesfushori ofensiv është pjesë e pandashme e Kombëtares së Kosovës që nga viti 2019. Ai ka zhvilluar 30 ndeshje me fanellën “dardanë” dhe ka shënuar një gol, duke dhënë gjithashtu asistime të rëndësishme në sfida të kompeticioneve. Nations League apo kualifikueset e Europianit. Pavarësisht se ende nuk është ndër golashënuesit kryesorë të Kosovës, Muslija vlerësohet për vizionin në lojë dhe aftësinë për të ndërtuar aksione vendimtare.

Goli i shënuar ndaj Paderborn konfirmon edhe një herë se Muslija është në rrugën e duhur për t’u bërë një element vendimtar si për Fortuna Düsseldorf, ashtu edhe për Kombëtaren e Kosovës, që ka nevojë për lojtarë me përvojë në ligat elitare të Gjermanisë.