Kosova hyn në fazën vendimtare të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, me dy përballje të rëndësishme përpara: të shtunën ndaj Sllovenisë në Lubjanë dhe më pas ndaj Zvicrës në Prishtinë, tre ditë më vonë. Në prag të këtij grumbullimi të fundit, përzgjedhësi Franco Foda ka mbajtur konferencën e parë për media, ku ka folur mbi rëndësinë e ndeshjeve, formën e lojtarëve dhe alternativat në dispozicion.
“Që në fillim kam thënë se gjithçka do të vendoset në ndeshjen e fundit. Sot jemi pikërisht në atë pikë. Çdo gjë është ende e mundur. Tani jemi të përqendruar te përballja me Slloveninë, ku duhet të marrim të paktën një pikë për të siguruar pjesëmarrjen në ‘play-off’”, deklaroi Foda.
Ai vlerësoi formën aktuale të skuadrës, duke theksuar rikthimin e disa prej titullarëve: “Amir Rrahmani ka luajtur sërish me Napolin, ashtu edhe Lumbardh Dellova. Të dy do të jenë në dispozicion, që do të thotë se kemi më shumë mundësi dhe alternativa.”
Përzgjedhësi theksoi gjithashtu rëndësinë e disponueshmërisë së plotë të futbollistëve: “Shpresoj që të gjithë lojtarët të mbeten të shëndetshëm gjatë kësaj jave, në mënyrë që të kemi skuadrën e plotë për ndeshje.”
Aro Muriqi mungon për pezullim, katër portierë në grumbullim
Foda komentoi edhe për mungesën e portierit Aro Muriq, i cili është pezulluar: “Aro jo vetëm që ka qenë në formë të mirë me klubin e tij, por ka qenë edhe shumë i rëndësishëm për ne. Mungesa e tij do të ndihet. Për këtë arsye kemi ftuar katër portierë: Maloku, Bekaj dhe Saipi janë në listë. Njëri prej tyre do të zëvendësojë Muriqin të shtunën.”

Përballje me dy skuadra të forta: “Duhet të shkruajmë historinë”
“Na presin dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe ende nuk kemi arritur qëllimin tonë. Prandaj është jetike që të fitojmë ndeshjen e radhës për të mbajtur gjallë shpresat tona dhe për të shkruar historinë”, tha Foda.
Duke folur për kundërshtarin e parë, Slloveninë, ai vlerësoi cilësitë e tyre: “Është një skuadër shumë e mirë dhe e fortë, siç e treguan edhe në ndeshjen në Kosovë dhe më pas ndaj Zvicrës. Janë të kompletuar në mbrojtje dhe të vështirë për t’u kaluar. Kur luajnë në shtëpi janë edhe më të rrezikshëm.”
Seanca stërvitore në Hajvali
Kosova do të zhvillojë seancën e parë stërvitore këtë të premte në ora 17:00, në Kompleksin Stërvitor të Hajvalisë, ku pritet të jetë i pranishëm i gjithë grupi i lojtarëve të ftuar për dy sfidat e fundit të këtij cikli.