
Kampionia e botës, Gjermania, ka dhuruar një shfaqje të jashtëzakonshme në raundin e katërt të fazës së grupeve në Eurobasket 2025 duke mposhtur Britaninë e Madhe me plot 63 pikë diferencë (120:57). Megjithatë, kjo fitore e thellë nuk hyn në listën e dhjetë triumfeve më të thella të historisë së Evropianit, ku rekordi vijon të mbahet nga fitorja e Bashkimit Sovjetik ndaj Danimarkës 118:14 në vitin 1953.
Gjermanët e nisën ndeshjen me intensitet të lartë, duke fituar çdo çerek dhe duke e mbyllur takimin me rezultat bindës. Tristan da Silva udhëhoqi me 25 pikë, ndërsa Dennis Schröder shtoi 19 dhe Franz Wagner realizoi 18 pikë e 10 kërcime. Ky rezultat është fitorja më e thellë e Gjermanisë në një Evropian që prej vitit 1989, kur Gjermania Perëndimore kishte shkatërruar Skocinë 127:53.
Në ndeshjen vendimtare të grupit, më 3 shtator, Gjermania do të përballet me Finlandën, ku me një fitore do të sigurojë vendin e parë në Grupin B.

Mali i Zi ringjallet me fitoren e parë
Në të njëjtën ditë, Mali i Zi siguroi fitoren e parë në turne duke mposhtur Suedinë 87:81 në një ndeshje dramatike të Grupit B në Tampere. Vendimi erdhi vetëm në minutat e fundit, kur malazezët hynë me një epërsi minimale (80:79), por arritën të kufizojnë suedezët në vetëm dy pikë dhe të shënojnë shtatë vetë, duke vulosur fitoren.
Pas katër xhirove, Gjermania dhe Finlanda kryesojnë me bilanc perfekt (3-0), Lituania ka 2-1, ndërsa Mali i Zi dhe Suedia mbajnë nga një fitore dhe tre humbje. Në fund të tabelës, Britania e Madhe mbetet pa fitore.
Mali i Zi do të ketë mundësinë të sigurojë kualifikimin në fazën me eliminim direkt në ndeshjen e radhës kundër britanikëve, ku fitorja do t’i çonte mes katër skuadrave më të mira të grupit.
Rezultatet e sotme:
-
Suedi – Mali i Zi 81:87
-
Estoni – Turqi 64:84
-
Gjermani – Britania e Madhe 120:57
-
Portugali – Letoni 62:78
-
Finlanda – Lituania duke u zhvilluar
-
Serbia – Republika Çeke (20:15)