
Sulmuesi anglez Bukayo Saka do të mungojë për rreth një muaj për shkak të një lëndimi në kofshë, ka raportuar të hënën “BBC”.
23-vjeçari u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 53-të të fitores 5:0 të Arsenalit ndaj Leeds Unitedit, ndeshje në të cilën shënoi edhe një gol.
Si pasojë, ai nuk do të jetë i gatshëm për përballjen e së dielës ndaj Liverpoolit në “Anfield”.
Saka pritet të mungojë gjithashtu në dy ndeshjet e Anglisë për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.
“Tre Luanët” do të përballen me Andorrën më 6 shtator dhe me Serbinë tri ditë më vonë.
Në dyshim për duelin me Liverpoolin është edhe kapiteni i Arsenalit, Martin Odegaard, i cili pësoi lëndim ndaj Leedsit.
Krahas tyre, te londinezët janë jashtë fushave edhe Ben White, Kai Havertz dhe Gabriel Jesus.
