Ismet Ferati: Basketbolli po ecën përpara, por na mungon vizioni dhe mbështetja e duhur

Ismet Ferati
Ismet Ferati

Profesor i edukatës fizike, trajner dhe anëtar i disa komisioneve sportive, Ismet Ferati ka ndarë mendimet e tij për gjendjen e sportit në Kosovë dhe zhvillimet më të fundit në basketbollin evropian. Ai flet për sfidat në arsim, mungesën e transmetimeve, krenarinë për lojtarët shqiptarë jashtë vendit dhe pritjet për Trepçën në garat ndërkombëtare.

“Mësimdhënia dhe sporti janë pasion, edhe pse përballë shumë vështirësive”

Ferati thekson se dashuria për sportin e mban të lidhur fort me arsimin dhe basketbollin.

“Unë vazhdoj të jem mësimdhënës i edukatës fizike në shkollën fillore Faik Konica në Prishtinë, punë që e bëj me shumë dashuri dhe pasion edhe pse çdo vit hasim në vështirësi. Në të njëjtën kohë kontribuoj për basketbollin e Kosovës si trajner i kategorive të reja, në Komisionin e Garave të FBK-së dhe në Komitetin Olimpik.”

 

Ismet Ferati

“Është mëkat të mos transmetohet Eurobasketi”

Për Feratin, mungesa e transmetimit të kampionatit evropian është pengesë e madhe për zhvillimin e sportit në Kosovë.

“Është mëkat i madh për një shtet që nuk ka transmetim të një kampionati evropian. Popullarizimi i basketbollit nuk duhet të kufizohet vetëm në Superligën e Kosovës.”

Sa i përket analizës sportive, ai nuk ka dilema:

“Që nga fillimi kam parë Gjermaninë si favorit për shkak të thellësisë së përbërjes me lojtarë nga NBA dhe Euroliga. Dështime të mëdha i shoh Francën, Spanjën dhe Serbinë, ndërsa befasitë janë Finlanda, Gjeorgjia, Polonia dhe Suedia. Në basketbollin modern nuk ka më autsajderë.”

 

“Edon Maxhuni është krenaria jonë”

Ferati nuk i fsheh emocionet për lojtarët shqiptarë që po shkëlqejnë jashtë vendit.

“Edon Maxhuni është krenaria jonë. Jo vetëm pse është djali i mikut tim, por edhe për performancën që ka treguar. Ai meriton një skuadër më të fortë se ku luan tani. Po ashtu, edhe Kenan Spahiu dhe Erxhan Osmani në Turqi janë super lojtarë që na bëjnë krenar.”

 

Trepça ka potencial për Evropë, por do ta ketë shumë vështirë”

Duke komentuar për klubin mitrovicas, Ferati shprehet me optimizëm të kujdesshëm.

“Në fillim do ta ndjejnë mungesën e trajnerit Adis Beqiragiq, por përforcimet e huaja janë shumë kualitative. Me ruajtjen e lojtarëve vendorë, nuk e shoh të pamundur kalimin e grupit në Evropë, edhe pse do të jetë shumë vështirë.”