
Italia, kampione në fuqi e Botërorit të Volejbollit për Meshkuj, mori hak ndaj Belgjikës me një fitore të thellë 3-0 (25-13, 25-18, 25-18), duke siguruar një vend mes katër më të mirave në Kampionatin Botëror FIVB 2025. Ndeshja u zhvillua të mërkurën në “SM Mall of Asia Arena”.
Belgjika kishte surprizuar “Azzurrët” në fazën e grupeve me një fitore dramatike 3-2 (23-25, 20-25, 25-22, 25-21, 13-15), por kësaj radhe, italianët dominuan që nga fillimi deri në fund, me shërbime të fuqishme dhe një mbrojtje të hekurt në rrjetë.
Megjithëse Belgjika kishte një avantazh të lehtë në sulme (37-35), Italia e diktoi lojën me një epërsi 6-1 në bllokime dhe një diferencë dërrmuese 8-1 në pikë direkte nga shërbimi, duke e kthyer ndeshjen në favorin e saj pa shumë histori.
Roberto Russo udhëhoqi Italinë në mbrojtje me katër bllokime, gjashtë sulme dhe dy “ace”, për një total prej 12 pikësh – më shumë se çdo lojtar tjetër në ndeshje. Alessandro Michieletto kontribuoi gjithashtu me katër “ace” dhe shtatë pikë nga sulmi, duke mbyllur me 11 pikë.
Kapiteni Simone Giannelli drejtoi lojën me 30 pasime të shkëlqyera dhe shtoi katër pikë personale, duke e udhëhequr Italinë drejt një tjetër përfundimi mes katër më të mirave në turneun me 32 kombëtare.
“E dinim që Belgjika është një skuadër e fortë. Humbëm ndaj tyre në grupe, por ndjesia për të qenë në gjysmëfinale është fantastike. Tani pushojmë dhe përgatitemi për ndeshjen tjetër. Për Italinë, është shumë e rëndësishme të jetë këtu”, u shpreh Russo pas ndeshjes.
“Jam shumë i lumtur sepse sot nuk ishte një ndeshje e lehtë. Luftuam për çdo pikë dhe ja ku jemi – mes katër më të mirave në botë”, shtoi Giannelli.
Mattia Bottolo kontribuoi me 10 pikë të gjitha nga sulmet, si dhe me shtatë pritje të sakta, ndërsa Yuri Romanò dhe Giovannimaria Gargiulo shtuan përkatësisht shtatë dhe pesë pikë për Italinë.
Tani “Azzurrët” do të synojnë finalen e dytë radhazi në Botëror, kur të përballen me fituesin e ndeshjes çerekfinale mes Polonisë dhe Turqisë të shtunën.
Nga ana tjetër, Belgjika mbyll një kampanjë historike, duke arritur për herë të parë në çerekfinale pas 55 vitesh – hera e fundit ishte në vitin 1970 në Bullgari, kur u renditën të tetët.
Ferre Reggers ishte më i miri për belgët me 13 pikë dhe gjashtë pritje të mira, ndërsa Sam Deroo shtoi 11 pikë në atë që rezultoi humbja e parë dhe e vetme për Belgjikën në këtë turne.