
Është hapur java e nëntë e Ligës së Parë të futbollit kosovar, me vetëm një ndeshje të zhvilluar sot, ndërsa të tjerat do të luhen nesër nga ora 15:00.
Skuadra e Tefik Çangës ka reaguar pas humbjes dhe polemikave të javës së kaluar ndaj Feronikelit, duke u rikthyer te fitorja me një triumf 2-0 ndaj 2 Korrikut. Ky rezultat e ngjit ekipin nga Tërni i Ferizajit në kuotën e 19 pikëve, vetëm një më pak se lideri aktual, Vëllaznimi. Përndryshe rezultati u zhbllokua vetëm në minutën e 80-të me Ditwa, ndërsa vulën e fitores dha me shënimin e tij në minutën e 2-të shtesë, Topalli.
Nga ana tjetër, prishtinasit e 2 Korrikut, të cilët javën e kaluar regjistruan fitoren e parë sezonale ndaj Lirisë, u kthyen sërish te humbjet. Kjo ishte disfata e tetë në nëntë javë kampionat për ta, duke treguar qartë vështirësitë me të cilat po përballen këtë sezon.

Tetë përballje nesër – sfida të forta në horizont
Të dielën luhen tetë takimet e tjera të javës së 9-të. Në qendër të vëmendjes është ndeshja ndërmjet Dinamos dhe Trepçës në Ferizaj, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në ArtSport.
Ndërkohë, Liria me trajnerin e ri, Liridon Leci, pret Istogun në një sfidë vendimtare për fatet e ekipit prizrenas. Vëllaznimi, lideri i tabelës, do të udhëtojë drejt Hogoshtit përballë Kikës, ndërsa Trepça ’89 do të përballet në Pejë me Besën – të dyja ndeshje me peshë të madhe për kreun e klasifikimit.
Feronikeli 74 dhe Vushtrria, në letër, kanë kundërshtarë më të lehtë. Nikli përballet me Vjosën në Shtime, kurse Vushtrria luan në Obiliq ndaj KEK-ut.
Në takimet e tjera, Suhareka pret Ramiz Saikun në një ndeshje të vështirë, ndërsa Rilindja 1974 përballet me Prizrenin, që javën e kaluar shënoi fitoren e parë pas ngjitjes në këtë kategori.