
Java e gjashtë e AlbiMall Superligës së Kosovës në futboll zhvillohet e gjitha të enjten, më 25 shtator, me pesë duele që pritet të ndikojnë ndjeshëm në renditjen e tabelës.

Ballkani – Drita (15:00)
Sfida më e spikatur zhvillohet në Suharekë, ku Ballkani pret Dritën. Portokallinjtë renditen të tretët me 9 pikë dhe synojnë të rikthehen në krye të tabelës, ndërsa kampionët aktual Drita, pas fitores së parë të edicionit kundër Prishtinës së Re në fundjaavë, janë me 5 pikë pas pesë javësh, dhe janë në kërkim të ringritjes.
Dukagjini – Llapi (15:00)
Një tjetër duel me peshë luhet në Klinë, ku Dukagjini, që ndan vendin e parë me Prishtinën (10 pikë), ndeshet me Llapin, skuadra e vetme pa fitore deri tani dhe që mban vendin e fundit me vetëm 3 pikë. Presioni është i lartë për mysafirët, ndërsa vendasit synojnë të ruajnë formën perfekte nga katër ndeshjet e fundit ku kanë arritur 3 fitore dhe barazim të vlefshëm në Skenderaj.
Gjilani – Drenica (15:00)
Gjilani do të përballet me Drenicën në një ndeshje mes skuadrave që janë në mes të tabelës. Drenica ka grumbulluar 8 pikë dhe ndodhet në vendin e katërt, ndërsa Gjilani vjen menjëherë pas tyre me 7 pikë. Fitorja do t’i afronte ndjeshëm me vendet e para. Për Gjilanin fitorja në Ferizaj ishte jetike në këtë fillimfaze të kampionatit.
Malisheva – Ferizaj (15:00)
Në Malishevë, vendasit kërkojnë pikë të rëndësishme për t’u larguar nga zona e rrezikshme, pasi renditen të nëntët me vetëm 4 pikë. Ferizaj, që ka 6 pikë, vjen pas tre humbjeve rresht. Kjo ndeshje do të jetë shumë e nxehtë sa i përket qëndrimit të trajnerëve në pankinë, sidomos të Qatip Osmanit te Malisheva.
Prishtina – Prishtina e Re (20:15)
Mbyllja e javës i takon derbit kryeqytetas. Prishtina, lidere e renditjes për shkak të golavarazhit më të mirë ndaj Dukagjinit (12:8 kundrejt 8:4), përballet me Prishtinën e Re, që ka grumbulluar 6 pikë dhe mban vendin e gjashtë. Bardhekaltrit janë favoritë, por derbit asnjëherë nuk kanë logjikë të thjeshtë. Prishtina e Re vjen pas ndryshimeve në shtabin teknik, ku trajneri i tanishëm është spostuar nga kjo pozitë për të ardhur drejtori i deritanishëm sportiv, Shpëtim Babaj.