Kek: Luajmë në një stadium legjendar, por kemi synimet tona – Sllovenët kërkojnë rezultat në Prishtinë

Matjazh Kek - Adam Gnezda
Matjazh Kek - Adam Gnezda

Trajneri i përfaqësueses së Sllovenisë, Matjazh Kek, dhe mesfushori Adam Gnezda janë paraqitur sot në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kundër Kosovës, që zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të xhiros së tretë të Grupit B për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.

Tekniku slloven nuk kurseu fjalët e respektit për Kosovën dhe për ambientin ku do të zhvillohet takimi.

“Luajmë në një stadium legjendar që mban emrin e një legjende, siç ishte Fadil Vokrri. Ne e respektojmë rezultatin e fundit të Kosovës dhe të arritmet e tyre, por kemi qëllimet tona, për çka jemi përgatitur të marrim më të mirën. Është ndeshje nga e cila patjetër duhet të dalim me rezultat”, deklaroi Kek.

Ai vlerësoi edhe atmosferën e pritshme në stadiumin e mbushur me tifozë:
“Patjetër do të jetë e vështirë në një stadium ku biletat janë shitur me kohë, me atmosferën që krijohet këtu. Janë në epërsi dhe pres atmosferë të mirë sportive.”

Kek gjithashtu foli me respekt për kolegun e tij, selektorin e Kosovës:
“Vetë rezultatet tregojnë për kualitetin e Fodës. Njihemi prej më herët, jemi përballur më parë dhe kam respekt për të. Unë jam nga Maribori, ai nga Grazi – vetëm 60 kilometra larg – dhe kam respekt të madh për të.”

Matjazh Kek
Matjazh Kek

Nga ana tjetër, mesfushori Adam Gnezda shprehu besimin në ekipin e tij dhe objektivin për të arkëtuar pikë në Prishtinë.

“Pres lojë të mirë. E kemi parë Kosovën, e kemi analizuar dhe e vlerësojmë. Por edhe ne jemi pretendues, kemi ekip të mirë dhe i kemi qëllimet tona që t’i kthejmë pikët në Ljubljanë”, tha Gnezda.

Ai shtoi se, pavarësisht nisjes së vështirë në këto kualifikime, skuadra është e përgatitur:
“Starti i kualifikimeve nuk ishte siç dëshironim, sidomos në ndeshjen e dytë me Zvicrën. Megjithëse e vlerësojmë Kosovën, kemi një rast të mirë që nesër të kthehemi me tri pikë nga Prishtina.”