KF Ramiz Sadiku, skuadra e Ligës së Parë të Kosovës, ka kompletuar një merkato interesante verore me gjashtë afrime, të rëndësishme për klubin.
Ekipi nga Prishtina, nën drejtimin e trajnerit Alban Dragusha, synon të garojë fort këtë sezon, duke forcuar të gjitha repartet e fushës, ndërsa mjaft mirë është paraqitur edhe në ndeshjet miqësore. Ramis Sadiku është ndër skuadrat stabile të Ligës së Parë, pa pretendime për Superligë, por edhe duke mos rrezikuar të bije më poshtë. Besohet këtë rol të mesit të artë të tabelës do të luajnë edhe sivjet, shumë të vështirë për t’u mposhtur, por pa ambicie për më lartë. Në fakt, skuadra verdhezi nga kryeqendra e Kosovës, ish-anëtare e Ligës së Dytë të Jugosllavisë (1983/84), në Superligën e Kosovës nuk merr pjesë që nga viti 1996.
Aurel Limani (19) – sulmuesi i talentuar që vjen nga klubi kroat NK Rudes, i cili do të forcojë repartin ofensiv. Aureli ka qenë pjesë e kategorive të reja të Ulpianës së Lipjanit dhe 2 Korrikut të Prishtinës.
Donat Krasniqi – qendërmbrojtës i vendosur dhe me perspektivë, i cili pritet të sjellë siguri në prapavijë i cili është transferuar nga Flamurtari, ndërsa pë parë ka qenë pjesë edhe e Phoenix, Prishtinës së Re dhe Shkëndijës së Hajvalisë.
Enes Duraku (21) – ish-sulmuesi i KF Flamurtari, i njohur për instinktin e tij për gol, që do të jetë një armë shtesë në sulm, më parë është paraqitur edhe me KEK-un dhe 2 Korrikun.
Erion Ramushi (19) – mesfushor me tipare sulmuese, i ardhur në huazim nga FC Drita, që do të sjellë ritëm dhe kreativitet, ndërsa tërë shkollën e futbollist ka kryer te skuadra gjilanase, kampion aktual të Kosovës.
Kamer Rudari – futbollist nga KF KEK-u, që pritet të jetë një vlerë e shtuar në sezonin e ri.
Bind Maxhuni – rikthehet në ekip pas një periudhe te KF Rahoveci, duke sjellë eksperiencë dhe energji të re. Më parë, mbrojtësi i djathtë ishte angazhuar edhe në Besë të Kavajës.