
Pas humbjes zhgënjyese 0-2 në transfertë kundër Kosovës, në kuadër të kulifikueseve për Kampionatin Botëror, kombëtarja suedeze e futbollit për meshkuj ka mbyllur funksionin e komenteve në llogarinë e saj zyrtare në Instagram.
Rreth orës 23:00, përdoruesit nuk mund të komentonin më në postimet e profilit zyrtar të ekipit kombëtar në Instagram.
“Nisur nga angazhimi i madh dhe numri i lartë i komenteve në këtë postim, kemi vendosur të mbyllim përkohësisht mundësinë për të komentuar gjatë orarit kur nuk jemi të pranishëm për të moderuar përmbajtjen”, thuhej në postimin e llogarisë.
Postimi i publikuar pas humbjes ndaj Kosovës kishte mbledhur mbi 1,100 komente dhe mbi 4,100 pëlqime para se të bllokohej komenti.
Federata njoftoi se komentet do të rihapeshin sot në orën 09:00.