
Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra u mposht nga Kroacia me rezultat 22:32, në një përballje ku pjesa e parë dhuroi emocion dhe lojë të barabartë, por përvoja dhe cilësia e lartë e kroateve bënë diferencën në pjesën e dytë.

Në ndeshjen e zhvilluar në Prishtinë, vajzat e Kosovës treguan karakter të fortë, duke qenë në disa momente edhe në avantazh me dy gola, por nuk arritën të ruajnë ritmin pas pushimit. Pjesa e parë përfundoi 13:14, duke lënë shpresë për një rezultat më të ngushtë, por kroatet shfrytëzuan më mirë bankën më të gjatë dhe përvojën e tyre në fraksionin e dytë.
Pavarësisht rezultatit, kjo ndeshje shënoi një hap pozitiv për gjeneratën e re të lojtareve, shumë prej të cilave debutuan në këtë sfidë dhe treguan angazhim maksimal.
Deklarata e selektorit Agron Shabani:
“E dinim që do ta kishim shumë vështirë ndaj Kroacisë, por vajzat treguan moral të lartë, sidomos krahasuar me ndeshjen ndaj Francës javën e kaluar. U munduan, u rikthyen në lojë dhe luftuan. Megjithatë, kemi një ekip shumë të ri dhe na mungon përvoja. Jemi ende në fazën e formimit, por kemi treguar përmirësim dhe shpresoj që në të ardhmen do të jemi edhe më konkurrues. Sot, sidomos në pjesën e parë, dhamë një lojë të mirë përballë një kombëtareje me nivel dhe ligë shumë më të fortë.”
Përfaqësuesja jonë e pret me optimizëm vazhdimi i ndeshjeve kualifikuese, duke u mbështetur në talentin dhe energjinë e brezit të ri.