Kundërshtari eventual në “play-off”: Pse Shqipërisë i konvenon dështimi i Maqedonisë?

Kombëtarja shqiptare ka rritur ndjeshëm shanset për t’u kualifikuar në play-off të Botërorit, pas fitores ndaj Serbisë këtë të shtunë në Leskovc.

Edhe pse rruga drejt “play-off”-it mbetet ende e gjatë dhe varet nga rezultatet e ndeshjeve të mbetura, tashmë kanë nisur përllogaritjet se si ky udhëtim mund të bëhet sa më i favorshëm për kuqezinjtë.

Aktualisht, situata në Grupin J e ka kthyer Shqipërinë në një “tifoze” të Belgjikës kundër Maqedonisë së Veriut. Arsyeja është e thjeshtë: kuqezinjtë shpresojnë që dy skuadrat të shkëmbejnë pozicionet në renditje, shkruan Panorama Sport.

Pas 6 ndeshjeve të zhvilluara, Maqedonia e Veriut kryeson me 12 pikë, e ndjekur nga Belgjika me 11 pikë nga 5 ndeshje dhe më pas Uellsi me 10 pikë po në 5 takime.

Në bazë të renditjes aktuale të FIFA-s, Shqipëria ndodhet në vazon e tretë të shortit për play-off, por do të ishte dukshëm më e favorizuar nëse Belgjika do të renditej e para (duke shkuar direkt në Botëror) dhe Maqedonia e Veriut do të zbriste në vendin e dytë. Një skenar i tillë do të sillte lëvizje në ndarjen e vazove, duke bërë që Shqipëria të ngjitej në vazon e dytë.

Avantazhi i vazos së dytë është i madh: skuadrat e saj luajnë në shtëpi ndeshjet gjysmëfinale të play-off-it, që zhvillohen në mars 2026, përballë ekipeve të vazos së tretë. Dhe një përballje në “Air Albania” ndaj një kundërshtari më të lehtë do të ishte një ndihmë e jashtëzakonshme për kuqezinjtë në rrugën drejt një objektivi historik — pjesëmarrja për herë të parë në një Kupë Bote.

Situata aktuale e play-off pas raundit të 7

Vazo 1: Belgjikë, Itali, Turqi, Ukrainë

Vazo 2: Poloni, Çeki, Hungari, Skoci

Vazo 3: Shqipëri, Irlandë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë

Vazo 4: Uells, Rumani, Suedi, Moldavi

Rey Manaj
Rey Manaj