
Heidenheim u mposht 2:0 në shtëpi nga Borussia Dortmundi të shtunën, duke mbetur i vetmi ekip pa pikë në Bundesliga dhe në fund të tabelës.
Të dy golat mysafirët i realizuan në pjesën e parë, por për vendasit lajmi më shqetësues ishte lëndimi i mbrojtësit kosovar Leart Paqarada, i cili u detyrua të largohej nga fusha që në minutën e 7-të.
Trajneri Frank Schmidt u shpreh pas ndeshjes se lëndimi mund të jetë serioz, duke thënë:
“Paqarada më tha se pati një ndjesi të pazakontë në gjurin e majtë.”
Në portën e Heidenheimit ishte Diant Ramaj, që përjetoi një sfidë të veçantë përballë klubit të tij, Dortmundit, ndaj të cilit është i huazuar deri në fund të sezonit.
Arijon Ibrahimoviq gjithashtu u paraqit titullar dhe luajti deri në minutën e 81-të.