
Mesfushori Liridon Latifi është shumë pranë rikthimit në futbollin kosovar. Sipas burimeve të sigurta, ai ka arritur marrëveshje paraprake për kushtet me një nga klubet kryesore në Kosovë, ndërsa tani pritet vetëm firmosja e kontratës që do të vulos transferimin e tij.
Ky rikthim i Latifit shihet si një përforcim i rëndësishëm për skuadrën që do ta përfaqësojë, me synim të qartë drejt fitimit të titullit kampion në sezonin e ardhshëm.
Liridon Latifi ka filluar karrierën e tij në Kosovë duke luajtur për Flamurtarin deri në vitin 2012. Më pas, ai kaloi te FC Prishtina, ku qëndroi deri në vitin 2015, kur u transferua te Skëndërbeu i Korçës. Në vitin 2017, Latifi u ble për 1 milion euro nga akademia Pushkash në Hungari, një nga investimet më të mëdha për një futbollist nga Ballkani. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, duke fituar përvojë ndërkombëtare.
Pas periudhës në Hungari, Latifi ka luajtur edhe për Sherif Tiraspol, Vllazninë e Shkodrës, KF Tiranën dhe së fundi për Shkëndijën e Tetovës, ku në sezonin e fundit ka regjistruar 28 paraqitje në dy kompeticione zyrtare, duke shënuar 5 gola dhe dhënë 1 asistim.
Rikthimi i 31-vjeçarit në Kosovë pritet të sjellë përmirësim të dukshëm në konkurrencën për titull dhe të ngrejë nivelin e futbollit vendor.

Be the first to comment