Maresca: Futbollistët nuk e kanë të vështirë – babai im ishte peshkatar për 50 vite

enzo maresca
Enzo Maresca

Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, ka reaguar me tone të forta ndaj diskutimeve për gjendjen e Raheem Sterling dhe Axel Disasi, të cilët janë vendosur jashtë grupit kryesor dhe stërviten veçmas. Mes kritikave dhe ndërhyrjeve nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë, Maresca ka vendosur ta vendosë situatën në perspektivë.

“Babai im është 75 vjeç dhe ka punuar si peshkatar për 50 vite, çdo ditë nga ora 2 e mëngjesit deri në 10 paradite. Kjo është një jetë e vështirë. Jo jeta e futbollistit”, tha ai prerazi në konferencë për shtyp.

“Situata është e qartë”

Sterling, lojtari më i paguar në klub me rreth 20 milionë euro në vit, dhe Disasi, i cili ka kontratë deri më 2029, nuk janë pjesë e planeve të trajnerit. Edhe pse Sterling postoi në Instagram një foto nga stërvitjet e natës në Cobham, rikthimi në ekipin e parë nuk duket afër.

Maresca u tregua i drejtpërdrejtë: “Kam qenë edhe vetë në atë pozitë si lojtar dhe nuk është e lehtë, por situata është kjo që është. Ata kanë të gjitha kushtet për t’u stërvitur si profesionistë, por kur nuk je pjesë e skuadrës, nuk je pjesë e saj.”

Jo rast i izoluar

Trajneri shtoi se kjo nuk është një çështje specifike e Chelseat:
“Ndodh kudo – në Itali, Spanjë, Angli, SHBA. Kur nuk ka marrëveshje mes klubit dhe lojtarit, ky është realiteti. Nuk është personale, është pjesë e futbollit modern.”