Manchester United ka regjistruar fitoren e tretë radhazi në Premier League dhe të katërtën radhazi në shtëpi, duke mposhtur Brightonin me rezultatin 4-2 në një ndeshje plot ritëm dhe emocione në “Old Trafford”.
Vetëm pak javë më parë një ecuri e tillë dukej e pamundur, por tashmë ekipi i Ruben Amorim po rikthehet në formë. Edhe pse Brighton kërcënoi fillimisht me një rast të mirë të Danny Welbeck, i ndalur nga portieri Senne Lammens, ishte United që zhbllokoi rezultatin në minutën e 25-të me një gol të bukur të Matheus Cunha, që shënoi për herë të parë për “Djajtë e Kuq”.
Goli i dytë i vendasve erdhi pas një gabimi të Van Hecke, që u ndëshkua nga një aksion i nisur nga Luke Shaw dhe përfundoi me një goditje nga distanca të Casemiros, që u devijua dhe përfundoi në rrjetë. Brighton tentoi të reagojë, por Verbruggen bëri një pritje vendimtare ndaj Bruno Fernandes në fillim të pjesës së dytë.
Megjithatë, United vazhdoi dominimin dhe realizoi të tretin me Bryan Mbeumo, që shënoi pas një aksioni të diskutueshëm që ngjalli protesta nga miqtë. Brighton arriti të ngushtonte diferencën me një gol fantastik nga goditja e dënimit i Welbeck, pas një ndërhyrjeje të diskutueshme të Dorgu, që u ndëshkua vetëm me karton të verdhë.
Në minutat e fundit, Brighton shfaqi versionin më të mirë të lojës së tij dhe Kostoulas shënoi me kokë në shtesë për të rihapur takimin. Por ishte sërish Mbeumo që vulosi fitoren me golin e katërt në çastet e fundit, duke i dhënë United fitoren e tretë radhazi në kampionat – hera e parë që ndodh nën drejtimin e Amorim – dhe duke e ngjitur përkohësisht në top-katërshe.