bullgaria

Bullgaria

I frymëzuar nga prania surprizë e prindërve të tij, Aleksandar Nikolov dha paraqitjen më të mirë të karrierës, duke udhëhequr Bullgarinë drejt finales së Kampionatit Botëror të Volejbollit për Meshkuj (FIVB) pas 55 vitesh pritje. Nën sytë e Vladimir dhe Maya Nikolovit, ai realizoi plot 31 pikë në fitoren ndaj Çekisë me rezultatin 3-1 në sete (25-20, 23-25, 25-21, 25-22), të shtunën në arenën SM Mall of Asia.

aleksandar nikolov
aleksandar nikolov

“Një moment shumë i veçantë. Nuk e dija që do të vinin, më surprizuan. Jam i lumtur që ishin aty për të më parë, në ndoshta ndeshjen më të rëndësishme dhe më të mirë të jetës sime. I falënderoj gjithmonë për mbështetjen”, – tha 21-vjeçari pas ndeshjes.

Bullgaria do të luftojë për medaljen e artë për herë të parë që nga viti 1970, kur u mjaftua me të argjendtën pas humbjes dramatike në pesë sete ndaj Gjermanisë Lindore.

Pavarësisht humbjes së setit të dytë, bullgarët dominuan në të gjitha aspektet e lojës: 56-49 në sulme, 12-7 në bllokime dhe 8-4 në shërbime të drejtpërdrejta, në një përballje që zgjati 1 orë e 44 minuta.

Pas barazimit në dy setet e para, Bullgaria mori kontrollin në të tretin falë një serie prej 5-2 të udhëhequr nga Nikolov, që e mbylli setin 25-21. Edhe seti i katërt ishte i luftuar, por përvoja dhe qetësia e bullgarëve në momentet vendimtare bëri diferencën. Nikolov çoi ekipin në avantazh 24-21, ndërsa një gabim i Dan Galabov i dha Bullgarisë pikën e fitores.

“Një paraqitje fantastike e skuadrës. Po ecim hap pas hapi dhe tashmë jemi medalistë. Tani synojmë vetëm medaljen e artë. Duhet të çlodhemi mirë për finalen”, – tha Nikolov.

Përveç Nikolovit, spikatën edhe Aleks Grozdanov me 12 pikë (7 sulme, 4 bllokime, 1 as), Asparuh Asparuhov me 10 pikë dhe Martin Atanasov me 8. Organizatori Moni Nikolov dha 43 pasime të shkëlqyera dhe shtoi 9 pikë të tjera (5 sulme, 2 bllokime, 2 as).

Në finale, Bullgaria do të përballet me fituesin mes Polonisë (numri 1 në botë) dhe kampiones në fuqi, Italisë.

Në krahun tjetër, Çekia u përfaqësua denjësisht në paraqitjen e saj të parë në gjysmëfinale që prej vitit 1966. Lukas Vasina udhëhoqi ekipin me 17 pikë, ndërsa Galabov dhe Patrik Indra shtuan respektivisht 13 dhe 10 pikë.

bullgaria
bullgaria