
Në sfidën e vlefshme për 1/16-at e Kupës së Italisë mes Lecces dhe Milanit, vëmendja për shqiptarët shkon te Medon Berisha. Reprezentuesi i talentuar, me prejardhje nga Kaçaniku, jo vetëm që do të jetë titullar për Leccen, por për herë të parë do të mbajë edhe shiritin e kapitenit.

Berisha, 21-vjeçar, ka regjistruar dy paraqitje në Serie A këtë edicion, duke grumbulluar gjithsej 86 minuta. Megjithatë, emërimi i tij si kapiten në një përballje të tillë prestigjioze ndaj një gjiganti si Milani përbën një arritje të madhe në karrierën e tij të re.
Ndërkohë, një tjetër shqiptar që pritet të jetë pjesë e ndeshjes është mesfushori Ylber Ramadani. Futbollisti nga Ferizaj do ta nisë takimin nga pankina, por mund të përfshihet gjatë lojës.
Kjo përballje ofron një skenë të rëndësishme për futbollistët shqiptarë që po dëshmojnë gjithnjë e më shumë vlerat e tyre në arenën ndërkombëtare.