
Federata e Futbollit e Serbisë (FSS) ka konfirmuar se përballja mes Serbisë dhe Shqipërisë, që zhvillohet në stadiumin “Dubocica” në Leskovac në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, është shpallur ndeshje me rrezik të lartë për siguri.
Në koordinim me FIFA-n dhe Ministrinë e Brendshme të Serbisë, është vendosur që në këtë takim të jenë të pranishëm dy zyrtarë të posaçëm të FIFA-s për siguri, me qëllim që të garantohet mbarëvajtja e ndeshjes dhe mbrojtja e të gjithë pjesëmarrësve.
Ky vendim nënvizon seriozitetin e situatës dhe rëndësinë e shmangies së çdo incidenti.
Federata serbe ka rikujtuar ngjarjet e vitit 2014 në Beograd, kur ndeshja Serbi – Shqipëri u ndërpre pas incidentit me dronin që mbante flamurin e “Shqipërisë Etnike”, duke shkaktuar përplasje mes lojtarëve dhe sulme të tifozëve serbë ndaj lojtarëve shqiptarë.
“Takimi i vitit 2014 pati pasoja të mëdha për futbollin serb, si në aspektin sportiv ashtu edhe financiar. Pikërisht për këtë arsye kemi përgjegjësi të madhe që të garantojmë një ndeshje të qetë dhe të tregojmë se Serbia mund të organizojë një ngjarje të madhe sportive sipas standardeve më të larta ndërkombëtare,” thuhet në njoftimin e FSS-së.
Kujtojmë se Shqipëria dhe Serbia e organizojnë bashkë Kampionatin Evropian për U21.