Kalo te përmbajtja
Dienstag, 4 August 2026
Ligat tjera

Nga Superliga e Kosovës në Kategorinë e 3-të: Tetë iklubet që tani do të garojnë në nivelin e tretë të garave

Në futboll asgjë nuk është e përhershme. Këtë po e dëshmojnë disa nga klubet më të njohura tona që dikur garonin në elitën e futbollit kosovar, e që sot do ta nisin sezonin në Ligën e Dytë, niveli i tretë i garave në vend.

FFK ende nuk e ka publikuar grupin e plotë të ekipeve që do të garojnë në Ligën e Dytë për sezonin 2025/26, por Kërlaçki ua sjelli disa prej tyre.

Në mesin e tyre është edhe Flamurtari i Prishtinës, një nga klubet me historinë më të pasur në futbollin e Kosovës.

Me dy Kupa të Kosovës në palmares dhe shumë vite të kaluara në Superligë, Flamurtari ka pësuar rënie graduale dhe këtë sezon do të kërkojë një rifillim të ri nga kategoria e tretë.

flamurtari
Flamurtari, në një ndeshje në „Fadil Vokrri“

Krahas Flamurtarit, në këtë ligë garojnë edhe: Arbëria (Dobrajë e Madhe), Fushë Kosova, Vllaznia e Pozharanit, Ulpiana (Lipjan), Lepenci (Kaçanik), Kosova VR (Prishtinë) dhe Rahoveci.

Të gjitha këto klube kanë qenë pjesë e Superligës të paktën për një sezon, disa prej tyre edhe për më shumë, por rruga e rënies së tyre ka qenë e pakthyeshme në mungesë të investimeve, infrastrukturës, stabilitetit sportiv, por edhe për kurdisje të rezultateve siç ishte rasti i Ulpianës.

KF Ulpiana
Ulpiana sa ishte në Superligën e Kosovës

Në Ligën e Dytë bën pjesë edhe Deçani, që vite më parë ishte pranë historisë për t’u ngjitur në Superligë, por humbi në barazh nga Vushtrria – dhe prej atëherë nuk ka arritur të rikthehet më lart.

Përballë sfidave dhe vështirësive, këto klube me emër kanë ende shansin për të ringritur veten dhe për t’i rikthyer tifozët në tribuna – nëse gjejnë drejtimin e duhur.

Lër një koment