
Sorato Shimizu, vetëm 16 vjeç, ka thyer një rekord botëror në atletikë pasi përshkoi 100 metrat për plotësisht 10.00 sekonda. I riu garoi në kampionatin shtetëror për shkolla të mesme në Japoni dhe fitoi bindshëm garën e tij – konkurrenti i dytë më i shpejtë regjistroi kohën 10.27 sekonda, çka nënkupton një diferencë thuajse prej tre të dhjetat e sekondës, shkruajn mediet ndërkombëtare, përcjellë Kërlaçki.
Pasi kaloi vijën e finishit, Shimizu shpërtheu nga emocionet – ndërsa në tabelën elektronike u shfaq koha e tij. Me këtë rezultat, ai theu rekordin botëror për kategorinë e tij të moshës. Rekordi i mëparshëm ishte 10.06 sekonda, të cilin e mbanin bashkërisht Christian Miller dhe Puripol Boonson.
Miller vendosi atë kohë në kampionatin amerikan U20 më 2023, ndërsa Boonson e arriti në Lojërat Aziatike në shtator të po atij viti – të dy ishin 17 vjeç në atë kohë. Ajo që e bën edhe më të rëndësishëm rezultatin e Shimizu-t është fakti se 10.00 sekonda është edhe norma minimale e vendosur nga World Athletics për kualifikimin në Kampionatin Botëror, që këtë vit do të mbahet në Tokio, në shtator.

Federata Japoneze e Atletikës ende nuk ka shpallur kriteret për përzgjedhjen e përfaqësuesve, pasi Shimizu nuk mori pjesë në kampionatin kombëtar për të rritur. Deri tani, vetëm dy sprinterë japonezë janë regjistruar zyrtarisht për garën 100 metra, dhe vetëm njëri prej tyre – Abdul Hakim Sani Brown – ka arritur kohë më të shpejtë se 10 sekonda këtë sezon.
Edhe pse Shimizu ka vendosur një rekord të jashtëzakonshëm për moshën e tij, është pak e mundur që ai të përfshihet në stafetën japoneze 4×100 metra, pasi formacioni aktual është i konsoliduar dhe nuk do të kishte kohë për përshtatje.
Megjithatë, ekziston mundësia që Shimizu të përfshihet në përfaqësuesen japoneze për Botërorin që do të zhvillohet në shtator në Stadiumin Kombëtar të Tokios.