Pavarësisht humbjes, lojtarët e Real Madridit përfitojnë 280 mijë euro secili nga Kupa e Botës për Klube

vinicius madrid
Vinicius Madrid

Edhe pse Real Madridi u eliminua në gjysmëfinale të Kupës së Botës për Klube nga Paris Saint-Germain, ky turne rezultoi fitimprurës për klubin dhe lojtarët e tij. Sipas gazetës spanjolle Marca, “Los Blancos” përfituan plot 80 milionë euro për arritjen në katërshen më të mirë.

Pavarësisht dominimit të skuadrës së Luis Enrique ndaj asaj të Xabi Alonsos, çdo lojtar i ekipit të parë të Real Madridit ka arkëtuar një shpërblim prej 280 mijë euro për paraqitjen në turne. 50 mijë euro për kualifikimin nga faza e grupeve, 80 mijë euro për kalimin në 1/8 e finales dhe 150 mijë euro për arritjen në gjysmëfinale.

Shpërblimet pasqyrojnë pritshmëritë e larta të klubit në këtë turne, edhe pse paraqitja nuk e justifikoi plotësisht suksesin e sezonit të kaluar 2023-24, ku Madridi fitoi LaLigën dhe Ligën e Kampionëve. Për këto arritje, klubi kishte shpenzuar 40 milionë euro bruto në shpërblime për lojtarët.

Në këtë sezon, duke fituar vetëm Superkupën e Europës dhe Kupën Ndërkontinentale, shpenzimet për shpërblime kanë qenë dukshëm më të ulëta.

Pas eliminimit nga Kupa e Botës për Klube, lojtarët kanë marrë më shumë se tre javë pushim, ndërsa stërvitjet pritet të rinisin më 4 gusht 2025 nën drejtimin e Alonsos.

Real Madridi do të nisë sezonin e ri në LaLiga më 19 gusht ndaj Osasunës, duke pasur në dispozicion vetëm 15 ditë përgatitje, përveç rasteve kur të miratohet ndonjë shtyrje e mundshme e ndeshjes hapëse, ndërsa skuadra synon të rikthejë formën konkurruese për sezonin 2025-26.