Një gjykatëse në Romë pranoi të hënën marrëveshjen e fajësisë me kusht të ish-drejtuesve të Juventusit, përfshirë ish-presidentin Andrea Agnelli dhe ish-zëvendëspresidentin Pavel Nedved, duke mbyllur çështjen e kontestuar të manipulimit të bilanceve financiare të klubit.
Gjykatësja Anna Maria Gavoni vendosi një dënim prej 1 viti e 8 muajsh me kusht për Agnellin dhe 1 vit e 2 muajsh me kusht për Nedvedin, fitues i “Topit të Artë”. Këto dënime nuk do të ekzekutohen. Sipas ligjit italian, një marrëveshje e tillë nuk nënkupton pranim formal të fajësisë.
Klubi u gjobit gjithashtu me 156 mijë euro. Ndërkohë, për ish-drejtorin ekzekutiv Maurizio Arrivabene, çështja u pushua.
Çfarë akuzash rëndonin mbi Juventusin?
Çështja lidhej me akuzat se Juventus kishte manipuluar pasqyrat financiare, kryesisht rreth transferimeve të lojtarëve dhe pagave gjatë pandemisë COVID-19. Fillimisht, prokuroria në Torino ngriti akuzat, por në vitin 2023 dosja kaloi në Romë.
Në qershor, Agnelli dhe drejtuesit e tjerë kërkuan gjykim të shkurtuar me marrëveshje, pasi prokuroria kishte kërkuar t’i akuzonte për manipulim tregu, pengim të kontrollit dhe faturim të rremë. Të gjithë e kishin mohuar fajin.
Juventus, i listuar në bursën e Milanos, tha se marrëveshja u arrit “në interesin më të mirë të klubit, aksionarëve dhe të gjithë palëve të përfshira”, duke ritheksuar njëkohësisht “korrektësinë e veprimeve të veta dhe forcën e argumenteve mbrojtëse”.
Më herët, klubi kishte pranuar një marrëveshje të ndarë me autoritetet sportive italiane, që solli heqjen e pikëve në Serie A 2022/23 dhe një vit përjashtim nga garat evropiane.