Pesë blerjet më të dështuara të Real Madridit

kaka dhe hazard
Kaka dhe Hazard

Në programin “Despierta San Francisco” në Radio MARCA, gazetari Miguel Angel Toribio iu bashkua një retrospektiveje të veçantë mbi disa nga “dështimet historike” të La Ligës, në një rubrikë të drejtuar nga Carlos Vicente Gomez “Chitu”, përcjellë Kërlaçki.

Dhe kur flitet për Real Madridin – klubin me 15 tituj të Ligës së Kampionëve – nuk mund të mungojnë edhe përmendjet për blerjet që bënë më shumë bujë sesa ndikim në fushë. Më poshtë janë pesë blerjet më të dështuara në historinë e klubit, sipas Toribios, duke u bazuar në çmim, pritshmëri dhe rendimentin.

 5. JULIEN FAUBERT

Huazuar nga West Ham për vetëm 1.5 milionë euro në janarin e vitit 2009, Faubert luajti vetëm 54 minuta me fanellën e Realit. Por ajo që kujtohet më shumë është momenti kur u kap duke fjetur në stol në “Bernabeu”.

“Një blerje më ikonike sesa e shtrenjtë”, tha Toribio. Ky episod shpjegon pse Reali ende e sheh me dyshim merkato-n dimërore. Francezi qëndroi vetëm gjashtë muaj në Madrid dhe u largua pa lënë asnjë gjurmë.

prosineçki
prosineçki

 4. ROBERT PROSINEÇKI

I ardhur në vitin 1991 si ylli i Crvena Zvezdës dhe pasardhës i shpallur i Maradonës në Ballkan, Prosineçki kushtoi 450 milionë peseta të asaj kohe. Por dëmtimet e shumta dhe mungesa e ndikimit në fushë e kthyen në “Lesioneski”.

(“Lesioneski” është një pseudonim ironik që i është vënë Robert Prosineçkit për të theksuar faktin se ai pësoi shumë dëmtime gjatë kohës që ishte te Real Madridi. Me humor, emri i tij u transformua për të nënkuptuar se ai ishte gjithmonë i dëmtuar – “njeriu i dëmtimeve”).

Në tre sezone zhvilloi vetëm 76 ndeshje dhe më vonë u transferua te Barcelona, pa shkaktuar ndonjë reagim te tifozët madrilenë. Karriera e tij madje u bë subjekt satire në një reklamë të njohur.

 3. MANOLO CANABAL

I kushtoi Realit 800 milionë peseta, por nuk bëri kurrë debutimin zyrtar. Ishte kërkuar nga Capello, por trajneri u largua para se Canabal të kishte mundësi të luante. Kujtohet vetëm për një gol në Trofeun “Bernabeu” dhe një huazim të shkurtër te Valladolid. “Kushtoi më shumë se Roberto Carlos apo Seedorf. Kjo thotë gjithçka”, thekson Toribio.

kaka
kaka

 2. KAKA

Fitues i Topit të Artë, idhull në Milan dhe një blerje premtuese në vitin 2009 për 67 milionë euro – një shumë rekord për atë kohë. Por dëmtimet dhe mungesa e personalitetit në krahasim me shkëlqimin e Ronaldos e bënë që të mos përmbushte pritshmëritë. Në 120 ndeshje shënoi 29 gola, por nuk u bë kurrë dirigjenti i dëshiruar i mesfushës. “Një blerje që duhej bërë… por që dështoi”, tha Toribio.

 1. EDEN HAZARD

“Galaktiku” i vitit 2019 dhe blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit: 120 milionë euro. Erdhi mbi peshë, u dëmtua rëndë kundër PSG-së… dhe nuk u rikuperua më. Në katër sezone: 76 ndeshje, 7 gola dhe shumë zhgënjim. Megjithatë, nuk kërkoi asnjë cent kur u largua. “Një lojtar me cilësitë e Messit te Chelsea… që u shua sapo zbriti në Madrid”, u shpreh Toribio. Pas fitores së Champions-it të 14-të, premtoi para tifozëve te “Cibeles” se do rikthehej në formë… por ajo ditë nuk erdhi kurrë.

eden hazard
eden hazard