Ferizaj - Prishtina 0-5
Bardhekaltrit fituan 5-0 në Ferizaj.
Me golat e Mujës (29′), Milevskit (41′), Zeqirit (45’+10), Baftiut (68′), Ahmetit (81′), ka arritur fitoren e dytë më të lartë kampionale që nga paslufta në Kosovë. Në fakt, kjo do të duhej të ishte fitorja më e madhe, duke i krahasuar se si kanë ndodhur dy fitoret tjera të larta.

Prishtina ka shumë fitore të larta, si klubi më i trofeshëm në vend, por në një kampionat si i Kosovës, të rralla janë skuadrat ku si mysafire shënojnë nga 5 gola.
Më 2012/13 Prishtina ishte absolute, kishte fituar kurorën e dyfishtë të vetme në historinë e klubit, por edhe fitoren më të lartë kampionale si mysafire. Ishte mposhtur Feronikeli, por kjo skuadër, në ndeshjet që i luante në “Bajram Aliu” të Skenderajt, pas problemeve financiare, në fushë kishte dalë me skuadër të re juniore. Fitorja ishte brutale, 8-1 për ekipin që e udhëhiqte Afrim Toverlani.
2012/13: 30. Feronikeli – Prishtina 1:8 (0:3)
Endrit Demaku 69’ – Astrit Fazliu 3’, Gentrit Begolli 9’, Driton Krasniqi 19’, Florim Bërbatovci 60’, 75’, 82’, Besnik Krasniqi 62’, 69’.
Tovërlani e ka edhe një fitore të lartë, kundër Besianës në fushën e saj në “Zahir Pajaziti” më 2007, në stinorin pranveror të edicionit 2006/07. Besiana s’ishte si më parë, dhe pas jo shumë kohësh ishte shuar edhe si klub.
2006/07: 19. Besiana – Prishtina 0:5 (0:2)
Isuf Llumnica 8’, Uliks Emra 35’, Enis Fetahu 65’, Ertan Hasan 72’, Milaim Humolli 88’.
Pra, fitorja e djeshme, me një Ferizaj kompetitiv, në fillim të edicionit, as Prishtinës si klub më i trofeshëm, nuk i kishte ndodhur më parë, andaj ky ekip i Arsim Thaçit, me këtë triumf, hyn si gjenerata me fitoren e dytë, por më të rëndësishme, të lartë si mysafire.