Prishtina fiton në Bruksel, siguron fitoren e dytë radhazi në ENLB

KB Prishtina
KB Prishtina

KB Sigal Prishtina ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në kuadër të Ligës ENBL, duke mposhtur në udhëtim skuadrën belge Brussels Basketball me rezultat 75:80 (13-20, 17-20, 20-12, 25-28). Ndeshja u zhvillua sonte në “Complexe Sportif de Neder-Over-Heembeek” në Bruksel.

Prishtina e nisi ndeshjen me dominim në dy periodat e para, duke krijuar një epërsi solide në pjesën e parë. Belgët reaguan në çerekun e tretë, por bardhekaltrit arritën të rikthejnë kontrollin në fund dhe të menaxhojnë rezultatin për të dalë me fitore nga kjo përballje e fortë.

Arian Azemi ishte lojtari më efikas i ndeshjes me 19 pikë dhe 3 asistime, duke udhëhequr ekipin në momentet kyçe të lojës. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe:

  • Bailey – 12 pikë, 2 kërcime, 2 asistime

  • Burns – 12 pikë, 2 kërcime, 2 asistime

  • Autrey – 11 pikë, 5 kërcime, 8 asistime

  • Lekndreaj – 9 pikë, 2 kërcime, 1 asistim

Me këtë rezultat, Prishtina forcon pozitat e saj në grup dhe vazhdon të ruajë ecurinë pozitive në garat ndërkombëtare, duke dëshmuar ambiciet për të avancuar në fazat e mëtejme të Ligës ENBL.

Periodat

Kliko, shiko ndeshjen:

https://www.youtube.com/watch?v=fpQ0F9d2NZ8

KB Prishtina ka pësuar rënie në çerekun e tretë të përballjes ndaj Brussels Basketball në kuadër të Ligës ENBL, duke lejuar skuadrën vendase të ngushtojë ndjeshëm rezultatin.

Skuadra belge e fitoi këtë periudhë me rezultat 20-12, duke ulur diferencën në vetëm dy pikë – 52:50 në favor të Prishtinës – pas 30 minutash lojë.

Tek bardhekaltrit, Altin Azemi vazhdon të jetë lojtari më efikas me 16 pikë dhe 1 kërcim, duke udhëhequr skuadrën si në fazën ofensive, ashtu edhe me përkushtim në parket.

Sfida pritet të vendoset në çerekun e katërt, ku Prishtina do të synojë të rikthejë ritmin për ta mbyllur me fitore ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në ENBL.

. . .

Sigal Prishtina ka zhvilluar një pjesë të parë të fortë ndaj skuadrës belge Brussels Basketball në kuadër të xhiros së dytë të Ligës ENBL, duke shkuar në pushimin e pjesës së parë me epërsi prej 10 pikësh, 40:30.

Pas një çereku të parë të mirë, skuadra e trajnerit Michalis Kakiouzis arriti të ruajë ritmin dhe të shtojë avantazhin në periodën e dytë.

Më efikasi deri tani në radhët e Prishtinës është Arian Azemi, i cili ka kontribuar me 11 pikë, ndërsa amerikani Autrey ka shtuar 8 pikë, 3 kërcime dhe 4 asistime, duke qenë gjithashtu një prej më të spikaturve në parket.

Prishtina synon fitoren e dytë radhazi në ENBL pas triumfit në ndeshjen hapëse ndaj Gimle Basket të Norvegjisë.

KB Prishtina
KB Prishtina

Pas 10 minutave lojë, bardhekaltrit kanë krijuar një epërsi solide, duke e mbyllur çerekun e parë me rezultat 20-13.

Më i dalluari në këtë pjesë të lojës ishte amerikani Autrey, i cili kontribuoi me 6 pikë, 2 kërcime dhe 2 asistime, ndërsa me të njëjtën kuotë pikësh u veçua edhe basketbollisti kosovar Altin Azemi.

Prishtina po tregon organizim të mirë në të dyja fazat e lojës dhe do të synojë ta ruajë ritmin edhe në vazhdim të sfidës.

KB Prishtina
KB Prishtina