
Java e pestë e Superligës së Kosovës solli emocione dhe rezultate të ndryshme, me Prishtinën që u rikthye te fitorja dhe mori kreun e tabelës.
Drita më në fund regjistroi suksesin e parë, ndërsa spektakli nuk mungoi në përballjen mes Llapit dhe Ballkanit.
Në ndeshjet tjera, Gjilani mori tri pikë të vlefshme në udhëtim, ndërsa Dukagjini shpëtoi në sekondat e fundit ndaj Drenicës.
Prishtina kthehet te fitorja
Kryeqytetasit mposhtën Malishevën si mysafir me rezultat 3-1. Ardian Muja, Ardian Limani dhe Valmir Veliu ishin autorët e golave për bardhekaltrit, ndërsa Samuel Opeh shënoi golin e vetëm për vendasit. Prishtina tani kryeson tabelën me 10 pikë, Malisheva mbetet e parafundit me 4 pikë.
Spektakël në Podujevë, Llapi dhe Ballkani ndajnë pikët
Në stadiumin “Zahir Pajaziti” u pa një përballje e fortë që përfundoi 2-2. Valentin Serembe shënoi dy herë për ish-kampionët e Kosovës, ndërsa Arbnor Ramadani dhe Hasan Hyseni realizuan për llapjanët. Llapi mbetet në fund të tabelës me 3 pikë, ndërsa Ballkani i treti me 9.
Drita më në fund fiton
Pas pesë javësh pa sukses, kampionët morën fitoren e parë duke mposhtur Prishtinën e Re me rezultat 2-1. Veton Tusha dhe Arb Manaj realizuan për gjilanasit, ndërsa Patrick Eze shënoi golin e vetëm për mysafirët. Drita tani ka 5 pikë, një më pak se Prishtina e Re.
Dukagjini shpëton në sekondat e fundit
Në Skënderaj, Drenica udhëhoqi deri në minutat shtesë me një supergol të Igball Jasharit, por Albion Pllana barazoi me një goditje të fuqishme vollej për 1-1. Dukagjini mbetet lider me 10 pikë, aq sa ka edhe Prishtina, ndërsa Drenica ka 7.
Gjilani triumfon në Ferizaj
“Skifterët” fituan me rezultat minimal 1-0 falë golit të Robert Rrahmanit në minutën e 84-të. Në fund Senad Jarovic shënoi sërish për Gjilanin, por goli u anulua nga VAR. Gjilani ngjitet në 7 pikë, Ferizaj mbetet me 6.
Gjilani këndellet pas humbjes befasuese ndaj Malishevës në shtëpi para një jave.