
Paris Saint-Germain viziton mbrëmjen e sotme “Estadi Olímpic Lluís Companys” për t’u përballur me FC Barcelonën në fazën e ligës të Ligës së Kampionëve. Kjo do të jetë përballja e 16-të zyrtare mes dy klubeve që prej më shumë se një dekade ndajnë një marrëdhënie të tensionuar, brenda dhe jashtë fushës.
Ndryshe nga takimet e fundit, këtë herë atmosfera paraprake është disi më e qetë. Ndoshta sepse nuk ka aq shumë në lojë. Nga 15 takimet e mëparshme, vetëm dy janë zhvilluar në fazën e grupeve – pjesa tjetër në eliminatore, përfshirë edhe finalen e Kupës së Fituesve të Kupave në sezonin 1996/97, të fituar 1-0 nga Barcelona.
Megjithatë, edhe kur s’ka shumë në rrezik, krenaria mbetet në lojë – ajo ndjenjë e pakapshme që shpesh peshon sa një trofe. Siç e përshkroi mbrojtësi francez i Barcelonës, Jules Koundé, përpara çerekfinales së sezonit 2023/24: “Ka shumë histori dhe shumë gjëra që kanë ndodhur pas kuintave.”
“La Remontada” – pika kulmore e një rivaliteti në rritje
Rivaliteti i hapur nisi kur PSG u bë një ndër klubet më të pasura në Europë pas marrjes nga QSI në vitin 2011. Ata u përplasën me Barcelonën në tregun e transferimeve për Thiago Silva në 2012 dhe Marquinhos në 2013, të dy të fituar nga PSG. Në fushë, takimet e shpeshta në Ligën e Kampionëve shpesh përfundonin në favor të katalanasve.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi në mars të vitit 2017, kur ndodhi “La Remontada” – mbrëmja e famshme kur Barcelona përmbysi disavantazhin 4-0 dhe fitoi 6-1 në Camp Nou, duke bërë historinë si e vetmja skuadër që kualifikohej pas një humbjeje të tillë në ndeshjen e parë. Me Messin, Neymarin dhe Suárezin në sulm, dhe Luis Enrique në stol, Barça shkatërroi ëndrrat e PSG-së.
Që nga ajo ditë, PSG ka bërë gjithçka për ta kthyer atë turpërim në një hakmarrje të heshtur – fillimisht duke thyer rekordin botëror të transferimeve për të marrë Neymarin nga Barça për 222 milionë euro. Një goditje që katalanasit nuk e panë të vinte dhe që për pak e çoi në gjyq marrëveshjen.
PSG dhe Barcelona – betejë edhe në merkato
Largimi i Neymar-it ishte një goditje për egon e Barcelonës, por humbja më e dhimbshme erdhi në 2021, kur klubi nuk mundi të rinovonte kontratën e Lionel Messit. Ikona argjentinase u transferua si lojtar i lirë te PSG, duke përforcuar ndjesinë se gjithmonë kur Barcelona humbte një yll, ishte PSG që përfitonte.
Në vitin 2023, kur Messi dhe Neymar u larguan nga Parisi, PSG vazhdoi zinxhirin duke aktivizuar klauzolën prej 50 milionë eurosh të Ousmane Dembélé – një tjetër ish-blerje rekord nga Barça për të zëvendësuar Neymarin. Edhe pse Dembélé nuk ishte më thelbësor në sy të tifozëve për shkak të lëndimeve të shumta, ironikisht është ai që ka njohur suksesin më të madh në Francë – fitues i Ligës së Kampionëve dhe më pas edhe i Topit të Artë.
Barcelona, e pranishme në suksesin e PSG-së
Suksesi i parë i PSG-së në Champions League mbart në vetvete gjurmë të Barcelonës – që nga Dembélé në fushë, te Luis Enrique në stol. Stili i lojës është gjithashtu një reflektim i ADN-së katalanase: posedim, rotacion dhe lëvizje kolektive.
Vetë Luis Enrique, pas eliminimit të Barcelonës nga PSG në 2024, tha: “Unë përfaqësoj stilin katalanas më mirë se ai që është në stolin e tyre. S’është thjesht mendim, janë statistikat – posedimi, rastet, presingu, trofetë…”
Dhe Koundé kishte të drejtë – ka shumë histori të përbashkët mes këtyre dy gjigantëve. Nga yjet, tek ndeshjet ikonike, deri te trajnerët dhe stili i lojës – një lidhje që i afron dhe i përplas njëkohësisht. Ndoshta për këtë, rivaliteti mbetet gjithmonë i ndezur, sepse ngjashmëritë theksojnë edhe më shumë ndryshimet – deri në pikën ku edhe ato që kanë të përbashkëta, ndihen si kujtime të pakëndshme.