Ramadani: Me guxim dhe 0 respekt ndaj Omonias, nëse fitojmë meritë do të ketë edhe… Foda!

Zekirija Ramadani
Zekirija Ramadani

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka folur në konferencën për media para ndeshjes së radhës në UEFA Conference League ndaj Omonias, që është e para për gjilanasit në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Rron Broja është kthyer. Tani me ekipin janë edhe Derrick Bonsu dhe Blerim Krasniqi, edhe pse jo 100% të rikuperuar. Është lajm i mirë për ne, sepse kjo i jep skuadrës një frymë ndryshe dhe rrit konkurrencën,” u shpreh fillimisht Ramadani në konferencën për shtyp.

Trajneri i Dritës theksoi se pika e marrë ndaj KUPS-it ka më shumë vlerë morale sesa matematikore, por mund të rezultojë vendimtare në fund.

“Pika ndaj KUPS-it është më tepër morale. Ndoshta në fund nuk do të vlejë aspak, por ndoshta mund të jetë edhe pika e kualifikimit,” tha ai.

KuPS - Drita 1-1
KuPS – Drita 1-1

Ramadani pret një sfidë të vështirë, por është i bindur se skuadra e tij do të hyjë në fushë me mentalitet fitues.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por jemi shumë të motivuar. Kundërshtari ka një sulm të jashtëzakonshëm, por jemi vendas. Është ndeshja e parë që e luajmë në shtëpi dhe besoj se do të kemi edhe ndihmën e madhe të publikut, që në disa raste të ngre shumë. Duhet të jemi të guximshëm, pa frikë, me 0 respekt në fushë. Ne duhet të luajmë për të shënuar gol dhe shpresoj të shënojmë një më shumë se kundërshtari për t’i marrë tri pikët e para në grupe,” tha Ramadani.

Duke folur për nivelin e kundërshtarit, trajneri i Dritës shtoi:

“Kampionati i Qipros është disa nivele mbi Superligën e Kosovës. Ata kanë ritëm të lartë, të cilin ne e përjetojmë vetëm në Evropë, sepse në Kosovë luhet ndryshe.”

KuPS - Drita 1-1
KuPS – Drita 1-1

Në fund, Ramadani tregoi se edhe nga ndeshjet e fundit të Kombëtares së Kosovës ka marrë mësime të vlefshme për mënyrën se si duhet vendosur ekipi kundër rivalëve më të fortë.

“Në këto tri ndeshje që ka luajtur Kosova, kam marrë shumë mësime për mënyrën se si duhet të vendoset skuadra kur përballet me një ekip të nivelit më të lartë. Nëse fitojmë nesër, pa dyshim që edhe Franco Foda do të ketë meritë, sepse i kam analizuar ato ndeshje dhe më kanë shërbyer shumë.”

Drita e pret Omonian të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në UEFA Conference League.

Zekirija Ramadani
Zekirija Ramadani