
Ramiz Sadiku ka arritur një fitore të rëndësishme ndaj Tefik Çangës në Ferizaj, në një ndeshje të vështirë, por të dominuar nga prishtinasit. Heroi i kësaj përballjeje ishte 20-vjeçari Arjol Bllaca, i cili realizoi golin e vetëm të takimit dhe të nëntin personal për këtë sezon.
Bllaca, një nga yjet në rritje të futbollit kosovar, ka qenë i pandalshëm këtë edicion – me 9 gola Ai është produkt i shkollës së futbollit “2 Korriku”, ndërsa më pas ka qenë pjesë e Ballkanit për një periudhë, për t’u rikthyer në Prishtinë te skuadra e trajnerit Alban Dragusha, ku po shkëlqen.
Pas ndeshjes, Bllaca u shpreh:
“Sot ishte një ndër ndeshjet më të vështira dhe konkurruese të kampionatit, ashtu si shumica prej tyre. Jam shumë i lumtur me lojën dhe karakterin që po e shfaq i gjithë ekipi. Më gëzon fakti që po mund të kontribuoj në sukseset tona, duke shënuar gola dhe ndjekur instruksionet e trajnerit. Deri më tash jam përshtatur shumë mirë me klubin, taktikat dhe ambientin në ekip. Gjithçka po ecën mirë dhe shpresojmë që këtë sezon të jemi sa më lart në tabelë, duke u bazuar në cilësinë që kemi.”
Në javën e 14-të, Ramiz Sadiku do të presë në shtëpi skuadrën e Vjosës nga Shtimja, me synimin për të vazhduar formën pozitive.