
Ndërsa bota e futbollit për vite me radhë ka qenë e magjepsur nga “galaktikët” e së kaluarës, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka orkestruar në heshtje një revolucion të ri – një “baby boom” futbollistik që po formëson një Real Madrid të ri, më të riun që nga fundi i viteve ’90.
Sipas Marca, përcjell Kërlaçki, ardhja e yjeve të rinj si Franco Mastantuono dhe Dean Huijsen i ka dhënë jetë projektit “Baby Madrid”, i cili përkrah talentin, freskinë dhe vizionin afatgjatë si themelet e suksesit të ardhshëm të klubit.
Statistikat flasin vetë
Për sezonin 2025/26, Real Madrid ka një moshë mesatare prej vetëm 25.07 vjeç, duke u bërë skuadra më e re e klubit që nga sezoni 1998/99, kur mesatarja ishte 24.88 vjeç. Për krahasim, atëherë në skenë po ngjiteshin emra si Raul González dhe Guti.
Skuadra të tjera të reja nga e kaluara si ajo e sezonit 2015/16 (25.39 vjeç) apo 2010/11 (25.16 vjeç) nuk e kalojnë përbërjen aktuale për nga rinia.
Nga yjet e afirmuar te talentet e padiskutuara
Përmes dy mandateve si president, Florentino Perez ka ndryshuar filozofinë e merkatos. Në fazën e parë (2000–2006), ai njihej për sjelljen e superyllave si Figo, Zidane, Ronaldo dhe Beckham. Por që nga viti 2009, ai ka ndjekur një qasje më strategjike dhe afatgjatë, duke investuar te të rinjtë me potencial të madh global.
“Projektit sportiv duhet t’i qasemi ndryshe,” deklaronte Perez në vitin 2017, duke parashikuar ndryshimet që do të sillnin klubet-shtet. “Gjithmonë kemi pasur lojtarë të mëdhenj, por tani i kemi rafinuar edhe më tej përzgjedhjet, me fokus te të rinjtë nga e gjithë bota”.
Rregulli i hekurt: jo mbi 30 vjeç
Një nga parimet më të palëkundura gjatë të dy mandateve të Perez është refuzimi për të afruar lojtarë mbi moshën 30-vjeçare. Ky rregull është thyer rrallëherë – me raste si Ricardo Carvalho (2010), Diego Lopez (2013) dhe Joselu (2023) – ndërsa transferime si ato të Zidane apo Alaba janë bërë para se të mbushnin 30 vjeç.
Një mozaik brezash të artë
Franco Mastantuono është “qershia mbi tortë” e këtij projekti – një talent i jashtëzakonshëm argjentinas, që tashmë ka debutuar për kombëtaren si lojtari më i ri në histori në një ndeshje zyrtare.
Tradita e Realit për të promovuar të rinjtë është e gjatë: Martin Odegaard debutoi në vitin 2015 në moshën 16 vjeç e 157 ditë, ndërsa Iker Casillas nisi legjendën e tij në vitin 1999 në moshën 18 vjeç e 115 ditë. Samuel Eto’o gjithashtu debutoi me Realin në vitin 1998 kur ishte vetëm 17 vjeç e 270 ditë.
Sot, ky mekanizëm vazhdon të funksionojë: Daniel Yanez (17 vjeç e 254 ditë), Endrick (18 vjeç e 35 ditë) dhe Diego Aguado (17 vjeç e 333 ditë) janë emrat më të rinj që i janë shtuar kësaj tradite.
“Baby Madrid” është dëshmi se trofetë fitohet jo vetëm me yje të mëdhenj, por me vizion dhe investime të mençura në të ardhmen.