Roma ka lënë pas humbjet, duke marrë një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Sassuolo-s në stadiumin “MAPEI”, falë një goli në pjesën e parë nga Paulo Dybala – një rezultat që e ngjit skuadrën verdhekuqe në vendin e dytë në Serie A.
Sassuolo, që vinte në këtë përballje pas tri ndeshjesh radhazi pa humbje në kampionat, e nisi me vrull takimin dhe humbi një mundësi të artë me Kristian Thorstvedt, i cili nuk arriti të godasë portën nga afërsia. Presioni i vendasve vijoi, me Alieu Fadera që pa tentativën e tij të devijohej në këndore nga portieri Svilar. Megjithatë, ishte Roma ajo që shënoi e para në minutën e 16-të, kur Paulo Dybala përfitoi nga një top i kthyer pas një pritjeje të Murić ndaj Cristante-s dhe e dërgoi sferën në rrjetë.
Sassuolo reagoi menjëherë, por Thorstvedt sërish gaboi me kokë, duke shpërdoruar një tjetër rast të pastër për barazim. Para pushimit, Dybala pati një tjetër mundësi nga një goditje dënimi pranë zonës, por topi përfundoi në rrjetën anësore.
Edhe pjesa e dytë vijoi në të njëjtin ritëm me vendasit që nuk arrinin të ishin konkretë. Andrea Pinamonti ishte i radhës që gaboi, duke gjuajtur jashtë nga një pozicion i favorshëm brenda zonës. Nga ana tjetër, Roma kishte mundësi të dyfishonte shifrat, por tentativa e afërt e Lorenzo Pellegrinit u ndal nga shtylla. Me kalimin e minutave, Sassuolo tregoi shenja lodhjeje dhe Roma krijoi dy mundësi të tjera për të mbyllur ndeshjen – fillimisht me një goditje me kokë nga Zeki Çelik dhe më pas me një rast të shpërdoruar nga Wesley.
Edhe pse Roma vazhdon të vuajë në konkretizim, me vetëm tetë gola të shënuar në po aq ndeshje në kampionat, fitorja në transfertë vjen në një moment vendimtar. Për trajnerin Gian Piero Gasperini, këto tre pikë janë një lehtësim i madh pas dy humbjeve radhazi në të gjitha kompeticionet. Roma tani ndodhet menjëherë pas Napolit, me të njëjtën kuotë pikësh, por me golavarazh më të dobët. Sassuolo, pavarësisht humbjes, mban vendin e 12-të dhe në ndeshjen e ardhshme do të udhëtojë drejt Cagliarit.