
Edon Zhegrova është zyrtarisht futbollist i Juventusit. Pas disa javësh spekulimesh, transferimi i yllit kosovar nga Lille në Torino u finalizua sot, me klubin italian që publikoi edhe detajet financiare të marrëveshjes.
Juventusi ka paguar 14.3 milionë euro të ndara në katër këste për kartonin e lojtarit, si dhe 1.2 milionë euro bonuse të menjëhershme. Përveç tyre, është përfshirë edhe një bonus shtesë deri në 3 milionë euro, i lidhur me performancën e tij.
“Është si një ëndërr për mua, një moment i mrekullueshëm për mua dhe familjen time. Ndihem i nderuar që e vesh këtë fanellë dhe do ta bëj me shumë krenari. Do t’i jap më të mirën këtij ekipi”.
Il nostro nuovo numero 1️⃣1️⃣📸 pic.twitter.com/ihLUMSh2Y4
— JuventusFC (@juventusfc) September 1, 2025
26-vjeçari nga Prishtina do ta mbajë fanellën me numrin 11 dhe pritet të jetë një nga armët kryesore të trajnerit Igor Tudor në repartin ofensiv.
“Pozicioni im i preferuar është sulmuesi i krahut të djathtë. Stili im është driblimi, golat dhe asistimet. Dua të ndihmoj ekipin me cilësinë time”, tha ai.
Zhegrova tashmë ka përjetuar Juventusin si kundërshtar në Ligën e Kampionëve me Lille, por tani mezi pret të debutojë si bardhezi.
“Ishte një përballje e vështirë vitin e kaluar, por tani jam këtu dhe mezi pres të bashkohem me shokët e ekipit. Objektivi im është i qartë: të shënojmë shumë gola dhe të fitojmë trofe. Me cilësinë që ka ky ekip, mendoj se është e mundur”, deklaroi Zhegrova.
La prima intervista in ⚪️⚫️ di Edon 🎙️
Guarda il video completo su YouTube 📺⤵️
— JuventusFC (@juventusfc) September 1, 2025
Debutimi i tij mund të vijë menjëherë pas pushimit të kombëtareve, në ndeshjen e madhe të Serie A – Derby d’Italia ndaj Interit.
“Mezi pres t’ju takoj në stadium. Le të fillojë shfaqja!”, përfundoi ylli Dardan.