
Trajneri i Ballkanit, Orges Shehi, ndau mendimet e tij për “Kërlaçkin” pas barazimit me Gjilanin, teksa e vlerësoi pozitivisht paraqitjen e ekipit të tij.
“Ndeshje përballë dy pretendentëve, sepse edhe Gjilani ka skuadër konkurruese. Erdhëm në këtë ndeshje disa ditë pas duelit në Evropë dhe kishim pak frikë nga lodhja e skuadrës, por menaxhimi i disa lojtarëve na bëri të ishim më kërkues në fund”, deklaroi Shehi për “Kërlaçki.com”.
“Në ligën tonë mund të humbësh ndaj kujtdo dhe të fitosh ndaj kujtdo, nuk ka diferencë të madhe mes skuadrave. Mund të ketë 3-4 pretendente: Ballkani, Drita, Gjilani dhe Prishtina, duke parë kontigjentin, por mbetet të shihet si do të shkojë”, shtoi ai.
Nuhiu: Në derbi duhet të shfrytëzosh edhe gjysmë rasti, këtë edicion synojmë titullin ose Kupën!
I pyetur se çka ndodhi në Dublin të Irlandës, ku Ballkani u shpartallua nga Shamrock Rovers, Shehi u shpreh kështu:
“Kanë qenë ditë të vështira pas asaj humbjeje, duhet të gjeja forcën të motivoja veten dhe skuadrën. Ne e humbëm ndeshjen për 6 minuta, kemi marrë gola në një distancë kohore prej 6 minutash”.
“Na vjen keq që humbëm prej gabimeve tona. Kanë qenë ditë shumë të vështira për ta harruar atë humbje, sepse kemi rrahur veten dhe kjo është për të ardhur edhe më keq”, përfundoi trajneri i Ballkanit.
Suharekasit siguruan një pikë falë supergolit të Ismajgecit, teksa në fund krijuan raste tjera të rrezikshme për të marrë pikët e plota.