
Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë të Kosovës në futboll ka hapur procedurë disiplinore ndaj klubit Vushtrria për shkelje të shumta gjatë ndeshjes me Lirinë, që u zhvillua të shtunën në kuadër të Ligës së Parë.
Sipas raportit zyrtar të Komisionit të Garave, pas ndeshjes lojtarët e Lirisë mbetën rreth 20 minuta në fushë për shkak të hedhjes së gjësendeve nga tifozët e Vushtrrisë.
“Në minutën e parë të ndeshjes janë hedhur mjete piroteknike, që shkaktuan ndërprerjen e lojës për rreth 30 sekonda. Në minutat 50 dhe 74 u hodhën disa shishe plastike. Në minutën e 84-t, pas golit të KF Liria, një pjesë e tifozëve hodhën gurë, shkrepëse dhe sende të forta në drejtim të trajnerit dhe bankinës së KF Liria. Pas përfundimit të ndeshjes, nga tribuna perëndimore u hodhën shishe plastike të mbushura me zall, gurë, shkrepëse dhe sende të tjera, përveç sharjeve dhe fyerjeve verbale. Si pasojë, gjyqtarët dhe lojtarët qëndruan në fushë për rreth 20 minuta”, shkruan në njoftimin e Komisionit.
Sjellje të papranueshme tregoi edhe kapiteni i Vushtrrisë, Daut Maxhuni, i cili pritet të ndëshkohet.
“Pas përfundimit të ndeshjes, lojtari qëllimisht goditi dhe dëmtoi mikrofonin qendror të produksionit, duke e nxjerrë jashtë funksionit. Si pasojë, produksioni nuk ka mundur të vazhdojë përdorimin e mikrofonit të dëmtuar”, theksohet në raport.